Komuna e Ferizajt ka ftuar qytetarët dhe ka njoftuar për një varg aktivitetesh që do të organizohen në shënim të 30 vjetorit të Demonstratave të 23 marsit 1989 të organizuara nga gratë dhe vajzat e Balajve, të cilave iu bashkuan edhe gra e vajza nga Neredimja, Ferizaj e më gjerë.
Portali ynë ka kontaktuar me zyrtarë të Zyrës për Informim të Komunës së Ferizajt për t’u njohur më në detaje lidhur me këtë organizim, nga ku na u bë e ditur se për këtë ngjarje me peshë historike dhe të rrallë të këtij lloji në vendin tonë është programuar një listë aktivitetesh në shënim të saj, në nderim të protagonisteve të kohës dhe referenca historike për këtë ngjarje historike.
Shënimi i manifestimit kushtuar 30 vjetorit të Demonstratave të 23 Marsit 1989 me nismëtare gratë e vajzat e fshatit Balaj do të filloj pikërisht në këtë fshat, duke bërë zbulimin e një pllake përkujtimore në oborrin e shkollës fillore “Pavarësia”, gur ky i gdhendur në bronz që për gjenerata të tëra do të jetë pikë reference se si gruaja shqiptare diti, mundi dhe ia doli t’i dal ballëhapur e sypatrembur regjimit shtypës e gjenocidal serbo jugosllav.
Një pllakë e njëjtë, do të zë vend dinjitoz edhe në sheshin “Adem Jashari”, në zemrën e qytetit, për t’i rikujtuar brezat e tanishëm dhe ata që vijnë pas nesh për heroizmin e gruas dhe guximin e shembullit të rrallë që ndërmorrën organizatoret dhe pjesëmarrëset e kësaj ngjarje, 30 vite më parë.
Të shkrira në bronz, fjalët kushtuar kësaj ngjarje dhe protagonisteve të kohës do të mbeten gur dinjiteti dhe nder për Ferizajn e ferizajasit.
Ky manifestim do të ketë edhe pjesën e saj ceremoniale të përmbledhur në një akademi solemne që organizohet në Teatrin “Adriana”, nga ku do të referojnë punonjës shkencor dhe protagoniste të kësaj ngjarje me rrëfimet e tyre autentike për organizimin, guximin dhe qëndresën para regjimit serbo-jugosllav.
Natyrshëm, organizatorët kanë planifikuar edhe pjesën artistike të përbërë nga këngë e valle si dhe recital të përgatitur nga aktorët e Teatrit “Adriana”.
Organizatorët e këtij manifestimi siç na u bë e ditur theksuan se kjo ngjarje, ky manifestim nuk do të ishte i plotë pa nderuar, pa homazhin kushtuar Heroinës së Kombit, Hyrë Emini.
Pranë shtatores së saj, sakrificës e guximit të saj do të përkulet kreu politik lokal dhe ai qendror, kurse në përmbyllje të plotë të manifestimit do të ekspozohen dhe shpërndahen piktura me motive nga kjo temë, ngjarje historike, vepra këto që do t’i shpërndahen një grupi tejet të përzgjedhur të grave kontributdhënëse në këtë ngjarje historike si dhe përgjatë zhvillimit e përparimit të qytetit tonë.
Portali ynë merr vesh se me nota të larta respekti, dinjitetshëm e plot finesë, të shtunën Ferizaj do të hap ditën e 23 marsit, me veprën unike në Kosovë, kushtuar grave dhe vajzave protagoniste të kësaj ngjarje që do të mbaj emrin “Guximi i Gruas”.