Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka publikuar Transparometrin Komunal 2023, një instrument që mat transparencën në komunat e Kosovës. Komuna e Drenasit, Ferizajt, Lipjanit e Prizrenit janë shpallur komunat më transparente për vitin 2023.
Me këtë rast, KDI ka ndarë mirënjohje për këto komuna. Ndërsa, kryetarët e këtyre komunave kanë mbajtur edhe nga një fjali rasti, duke premtuar angazhim edhe më të madh në ritjen e transparencës.
Drejtori ekzekutiv i KDI/TIK, Ismet Kryeziu, ka vlerësuar se transparenca është themeli i një demokracie të qëndrueshme dhe të fuqishme në nivel lokal. Sipas tij, pa një qeverisje të hapur në nivel lokal, qytetarët mbeten të painformuar dhe të pafuqishëm për të marrë pjesë aktivisht në proceset vendimmarrëse që ndikojnë në jetën e tyre të përditshme.
Nga ana tjetër, Selvije Kurti, menaxhere e projekteve në KDI/TIK ka paraqitur raportin në detaje, duke theksuar se sipas gjetjeve të Transparometrit Komunal për vitin 2023, transparenca komunale në përgjithësi ka shënuar një rënie të lehtë krahasuar me raportin e gjashtëmujorit të dytë të vitit 2022. Prandaj, ajo ka vënë në pah se është e nevojshme të vazhdohet puna për rritjen e nivelit të transparencës dhe llogaridhënies, për të ruajtur dhe përmirësuar qëndrueshmërinë e nivelit të transparencës, sidomos në ato komuna që kanë pasur performancë më të dobët sa i përket përmbushjes së standardeve të transparencës.
Sipas Transparometrit Komunal 2023, si një iniciativë tashmë tradicionale, informatat e mbledhura janë bazuar në 48 indikatorë për secilën komunë. Kuvendet Komunale kanë arritur të përmbushin indikatorët në masën prej 68.45%, ndërsa Zyrat e Kryetarëve në masën prej 64.56%. E që ende ka punë për të arritur nivelin e synuar në 100 %
Sipas njoftimit për media nga KDI, një nga sfidat kryesore që po ballafaqohen komunat dhe që vazhdon të jetë problem shumëvjeçar është mosfunksionimi i uebfaqeve.
Ndërkohë, sipas gjetjeve të vitit 2023, komunat që kanë dalë me performancën më të mirë në përmbushjen e indikatorëve janë: Drenasi, Ferizaj, Lipjani e Prizreni me nga 94 pikë, pastaj Klina me 93, Rahoveci dhe Skenderaj me nga 92, pastaj Juniku me 91, Kamenica me 90 dhe Podujeva me 89 pikë.
“Transparenca e të gjitha 38 institucioneve lokale për vitin 2023 është vlerësuar në mënyrë retrospektive, pra matjet janë realizuar midis 25 marsit dhe 30 prillit 2024, me metodologjinë e konsoliduar të Transparency International, që i referohet matjeve në kuadër të 48 indikatorëve por dhe përvojës së saj të gjatë në monitorimin e punës së qeverisjes lokale”, thuhet në njoftim.
Pasqyrimi i rezultateve të përgjithshme në nivel komunash tregon se konkurrenca midis tyre ka nxitur sukses dhe përmirësim të dukshëm të performancës në disa komuna, ndërsa disa të tjera kanë pësuar rënie.
Transparometri Komunal 2023 është realizuar në partenritet me 12 organizata të tjera lokale dhe është mbështetur nga Olof Palme International Center.