23,04,2024

Ferizaj i qasshëm për mediet

Must Read

Me rastin e Ditës së lirisë së shtypit, kryetari i Ferizajt Muharrem Svarqa, ka bërë këtë deklaratë për gazetarët ferizajas.

“Sot është një ditë e veçantë për të gjithë ne dhe një rast i mirë për t’i hedhur një sy lirisë së medias në vendin tonë, duke qenë të vetëdijshëm se media e lirë dhe e pavarur, është shtyllë e rëndësishme e zhvillimit të një shoqërie, e sidomos e zhvillimit demokratik të saj.

Komuna e Ferizajt këto vitet e fundit, mendoj se ka bërë përparime në aspektin e lirisë së qasjes së mediave ndaj zhvillimeve në Komunë dhe rreth saj. Mediat njoftohen rregullisht për të gjitha ngjarjet dhe për të gjitha zhvillimet e rëndësishme, si dhe janë të lira për të pasur qasje në të gjitha segmentet e pushtetit lokal, duke përfshirë kryetarin e Komunës, drejtorët e drejtorive dhe të gjithë sektorët e administratës. Asnjë media nuk është refuzuar as diskriminuar sa i takon mundësisë së qasjes ndaj burimeve të informacionit në pushtetin lokal të Ferizajt.

Së dyti, Komuna e Ferizajt ka bërë disa hapa të rëndësishëm për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies ndaj publikut, një gjë kjo që në shumicën e rasteve realizohet përmes medias. Është shtuar dhe pasuruar faqja zyrtare e Komunës me informacione për publikun dhe për gazetarët, ka filluar të dalë një revistë mujore si përmbledhje e aktiviteteve dhe zhvillimeve në Komunë e rreth saj, vazhdon transmetimi i të gjitha mbledhjeve të Kuvendit të Komunës, ka pasur konferenca të rregullta me gazetarë nga zyrtarët e lartë të Komunës për paraqitjen e ngjarjeve dhe aktiviteteve të rëndësishme, ndërsa gazetarët kanë marrë përgjigje në të gjitha temat dhe interesimet e tyre.

Nga këndvështrimi im, shumica e mediave të Ferizajt dhe e korrespondentëve që raportojnë për mediat qendrore, e bëjnë punën e tyre në mënyrë korrekte, duke raportuar në mënyrë të paanshme dhe objektive. Por ka edhe përjashtime nga ndonjë medium, kur plasohen informacione njëburimore, të paverifikuara dhe ndonjëherë edhe anonime. Madje edhe informacione të cilat duan me çdo kusht t’u japin disa çështjeve përmasa dramatike, që nuk i kanë në të vërtetë. Unë e kuptoj që edhe informacioni është një lloj malli që i shitet publikut dhe gazetarët ndonjëherë nguten për të plasuar lajme ose pohime të paverifikuara të ndokujt, ose edhe me qëllime për të denigruar dikë. Prandaj, unë inkurajoj me këtë rast të gjithë gazetarët e Ferizajt që të kenë qasje objektive, ta thonë të vërtetën për aq sa mund ta verifikojnë atë, të mos mbajnë anën e askujt gjatë raportimit, të jenë të ndershëm dhe të kujdesshëm, që të mos i lëndojnë padrejtësisht qytetarët.

Unë ju inkurajoj që të jeni në anën e shtetit ligjor, në anën e luftës së pakompromis ndaj dukurive negative si keqpërdorimet e pushtetit, korrupsioni, padrejtësia shoqërore, mendësia e prapambetur etj. Por do të dëshiroja gjithashtu që mediat të jenë kritike edhe ndaj punës së tyre, ta shikojnë herë pas here veten nëse janë duke informuar objektivisht për zhvillimet, proceset, ngjarjet e dukuritë, apo mos janë bërë zëdhënës të ndonjë individi, apo grupi të interesit.

Unë jam thellësisht i bindur se informimi i drejtë, i balancuar dhe ekskluzivisht në interes të audiencës së gjerë, është vlera kryesore e çdo mediumi dhe e çdo gazetari, i cili ka zgjedhur për ta ushtruar këtë profesion. Çdo përpjekje për të kënaqur interesa të ngushta, është jetëshkurtër dhe e dështuar pas një kohe.

Prandaj, uroj që të qëndroni vertikalisht, të paanshëm, profesionistë, hulumtues të së vërtetës dhe krijues të opinionit të shëndoshë publik, edukues të audiencës suaj, me të vërtetën e përditshme”, thuhet në deklaratën e kryetarit të Ferizajt.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Gjen kuletën me 320 euro, qytetari nga Ferizaj e dorëzon në polici

Një qytetar nga Ferizaj ka gjetur një portofol me para dhe ka dorëzuar atë në polici. Policia njofton se në...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img