Qytetarët e Ferizajt janë treguar të diciplinuar në tre ditët e fundit lidhur me respektimin e masave mbrojtëse të vendosura nga qeveria lidhur me pandeminë e COVID-19.
Që nga dita e hënë kur Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për kufizim të lëvizjes së qytetarëve nga ora 21:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit në katër komuna, Prishtinë, Vushtrri, Prizren e Ferizaj, këto masa kanë filluar të monitorohen nga ana e inspektorëve.
Që nga dita e hënë inspektorët e Komunës së Ferizajt, çdo mbrëmje janë në inspektim të lokaleve dhe qytetarëve të cilët nuk respektojnë masat e vendosura nga Qeveria.
Ridvan Berisha, koordinator i inspektorëve në Komunën e Ferizajt ka thënë për KALLXO.com se që nga e hëna deri më tani nuk kanë shqiptuar asnjë për qytetarët në Ferizaj.
“Për qytetarë ende nuk kemi asnjë gjobë të shqiptuar pasi që po respektohen masat e vendosura nga Qeveria”, ka thënë Berisha.
Berisha për KALLXO.com ka folur edhe për këtë aksion të cilin e kanë pasur të hënën në mbrëmje në bashkëpunim me policinë, ku si rezultat janë mbyllur pesë lokale në Ferizaj.
“Natën e parë e kemi pasur një aksion me policinë, ku kemi kontrolluar nëse lokalet po respektojnë masat e vendosura nga Policia e Kosovës. Gjatë këtij aksioni kemi mbyllur pesë lokale, dhe ndaj të njëjtëve është shqiptuar gjobë për mosrespektim të masave të qeverisë”, ka thënë Berisha.
Ai tutje ka bërë të ditur se pas të hënës, bizneset dhe qytetarët në Ferizaj janë duke respektuar mjaftë mirë këto masa, pasi që të martën dhe të mërkurën asnjë biznes në qytet nuk është hasur i hapur nga ora 21:00.
“Në dy netët e fundit nuk kemi hasur në ndonjë subjekt që ka qenë i hapur pas orës 21:00, përveç barnatoreve”, ka thënë Berisha.
Berisha është shprehur i kënaqur me mënyrën se si po respektohen masat e Qeverisë së Kosovës në Komunën e Ferizaj.
“Unë jam i kënaqur me mënyrën se si po respektohen masat në Komunën e Ferizaj, pasi që nga ora 21:10 tani më dy ditë radhazi nuk kemi hasur në biznese të hapura, e poashtu në shesh nuk ka pasur thuajse asnjë person, përveç barantoreve”, ka thënë Berisha.
Mbrëmë, IKSHPK ka njoftuar se gjithsej 214 raste kanë rezultuar pozitiv me COVID-19.
Nga këto raste, 55 prej tyre janë nga Komuna e Ferizajt.