Qëndrim Guri nuk e kishte menduar asnjëherë se do t’i mungonte përkrahja dhe që do të harrohej aq shpejt, vetëm tri vjet pasi e përfaqësoi Kosovën në Olimpiadën “Rio 2016”. Çiklisti i deridjeshëm ferizajas ndihet i harruar tërësisht. Për ta mbajtur familjen, ai po punon si punëtor krahu
Qëndrim Guri ishte njëri prej sportistëve që e kishte përfaqësuar Kosovën në Lojërat Olimpike “Rio 2016”, shkruan Gazeta Express.
Mirëpo, nga ajo kohë, çiklisti kosovar nuk ka pa më hair në sport.
Ai e kishte pësuar një aksident në Brazil teksa po e përfaqësonte Kosovën dhe kishte pësuar lëndime trupore dhe i ishin thyer dhëmbët.
Pas rikthimit në Kosovë ishte ankuar se i kishte munguar përkrahja nga institucionet përgjegjëse sportive, përkatësisht nga Federata e Çiklizmit të Kosovës dhe nga Komiteti Olimpik i Kosovës.
Ndërsa tash, kur kanë kaluar më shumë se tri vjet nga Olimpiada, ai ndihet i harruar dhe i lënë anash totalisht.
Ferizajasi ankohet se për ta mbajtur familjen i duhet të bëjë punë të ndryshme, përfshirë këtu edhe punën fizike, pra si punëtor krahu.
“Unë e kam përfaqësuar Kosovën në Olimpiadë dhe atje e kam pasur një aksident shumë të rëndë. Askush nuk u kujdes për shërimin tim në Kosovë. Asnjëherë nuk kanë kontaktuar me mua se çka kam dhe se a jam shëruar apo jo. Mua më kanë lënë anash sepse kërkujt nuk i ka interesuar për mua më”, ankohet fillimisht Guri.
“Kur isha duke bërë stërvitje peshoja vetëm 65 kilogramë, ndërsa tash jam bërë 100 kilogramë. Po kam probleme me shëndetin, por po duhet ta mbaj familjen. Unë tash punoj në një firmë private për 250 euro në muaj, 9 orë punë dite”, shprehet Guri për Gazetën Express.
Ai e pranon se do të donte ta vazhdonte karrierën si çiklist, por shton se nuk sheh perspektivë në këtë sport, ku nuk paguhen sa duhet sportistët.
“Vetëm nëse do të kishte pagë mujore të rregullt, do t’i kthehesha prapë çiklizmit. Të ardhmen, apo edhe ëndrrën time e shoh në çiklizëm, por nuk ka pagë, nuk ka perspektivë. Unë po detyrohem të punoj punëtor krahu”, përfundoi Guri.
Fatkeqësisht, çiklisti ferizajas u desh ta mbyllte karrierën para kohe, duke i pasur parasysh kushtet e vështira për sportistët kosovarë në vend.