Organizimi i parambrëmjes nga maturantët ferizajas dhe siguria në shkolla ishin temat që sot kishin mbledhur drejtorët e shkollave të mesme të Ferizajt, përfaqësuesit e Këshillit të Prindërve dhe Policisë së Kosovës në Drejtorinë e Arsimit me ftesën e drejtorit të kësaj drejtorie, Afrim Llabjani.
Ky i fundit bëri të ditur se këto ditë është bërë publik një organizim i paligjshëm, i pambështetur në udhëzimet administrative e aspektet kurrikulare që parashohin organizime jashtë shkollore, e quajtur kështu festa e parambrëmjes.
Ai tha se duke qenë si i tillë një organizim që nuk ka mbështetjen dhe iniciativën nga Drejtoria e Arsimit, madje ka edhe një kosto të lartë për xhepin e nxënësve dhe prindërve të tyre, në dakordim të plotë edhe me përfaqësuesit e prindërve si dhe drejtorët e shkollave, konfirmoi se Drejtoria e Arsimit, Këshilli i Prindërve dhe drejtorët e shkollave të mesme në Ferizaj distancohen nga ky organizim meqenëse nuk janë organizatorë të saj, si dhe apelojnë tek prindërit që të kenë kujdes e ta shqyrtojnë lejen e pjesëmarrjes së fëmijëve të tyre në ngjarje të këtilla.
Tutje, ndër temat që zuri vend në këtë diskutim ishin edhe fenomenet negative përskaj objekteve shkollore që në vijimësi po dëmtojnë procesin e rregullt e sigurinë në shkolla. Edhe më këtë rast, drejtori Llabjani bëri të ditur se qeverisja lokale ka marr të gjitha hapat e nevojshëm që të eliminohen në tërësi këto dukuri negative, porse lypset reagim edhe më i fuqishëm i organeve të sigurisë dhe drejtësisë që të zhbëhen këto fenomene nga shkollat dhe hapësirat përskaj tyre.
Drejtoria e Arsimit si rëndom edhe këtë fund jave zhvilloi takime të rregullta me drejtorët e shkollave me qëllim evidentimin e gjendjes në secilën nga shkollat në territorin tonë si dhe fenomeneve apo sfidave me të cilat ato po përballen.