DKRS Ferizaj merr masa për mbrojtjen e fushave sportive – ndalohet hyrja e automjeteve pranë Pallatit të Sporteve “Bill Clinton”

Share


Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (DKRS) në Ferizaj ka njoftuar se, me qëllim të rritjes së sigurisë dhe ruajtjes së hapësirave sportive, është ndaluar rreptësisht hyrja dhe parkimi i veturave dhe motoçikletave brenda fushave sportive që ndodhen para Pallatit të Sporteve “Bill Clinton”.
Sipas njoftimit zyrtar, hapësirat tashmë janë bllokuar me barriera fizike, ndërsa ky vendim është marrë për të garantuar një ambient të sigurt për fëmijët, sportistët, vrapuesit dhe familjet që çdo ditë i shfrytëzojnë këto terrene për aktivitete sportive dhe rekreative.
DKRS bën të ditur se hyrja e automjeteve do të lejohet vetëm në raste të veçanta, gjatë organizimit të eventeve të mëdha sportive.
Institucioni gjithashtu ka paralajmëruar se çdo shkelje e këtij rregulli do të denoncohet te organet përgjegjëse, përkatësisht Policia, me qëllim të zbatimit të masave ligjore ndaj kundërvajtësve.
“Fushat sportive u takojnë fëmijëve dhe sportistëve, jo makinave”, thuhet në mesazhin e Drejtorisë, e cila u bën thirrje qytetarëve të tregojnë përgjegjësi dhe të kontribuojnë në ruajtjen e këtyre hapësirave publike.
Përmes këtij vendimi, DKRS synon të krijojë një mjedis më të sigurt, më funksional dhe më miqësor për të gjithë qytetarët, duke promovuar sportin, rekreacionin dhe respektimin e pronës publike.

Të ngjashme: