Tashmë jemi në vitin 2018, vit ky që shënon 10 vjet shtet të Republikës së Kosovës. Kjo ngjarje po konsiderohet si njëra ndër më të rëndësishmet këtë vit për Kosovën.
Është bërë publike logoja zyrtare institucionale e 10 vjetorit të shtetësisë së Kosovës , dhe ajo është komentuar në mënyra të ndryshme.
Në një përgjigje për lajmi.net nga Zyra e Kryeministrit Haradinaj, është thënë që kjo logo është derivat i simboleve zyrtare shtetërore në kombinim me ngjyrat e flamurit shtetëror, ku dy duart e hapura dhe dhjetë gishtat nënkuptojnë ditëlindjen e dhjetë të shtetit të Kosovës dhe kontributin në paqen rajonale.
“Deri më tash publike është bërë logoja zyrtare e organizimeve institucionale që do të bëhen për këtë 10 vjetor të shtetësisë sonë. Logoja është derivat i simboleve zyrtare shtetërore, me ngjyrat e flamurit tonë shtetëror. Dy duar të hapura dhe dhjetë gishta, përveçse nënkuptojnë ditëlindjen e dhjetë të shtetit tonë, nënkuptojnë edhe 10 vjet kontribut në paqen rajonale.” thuhet më tej në përgjigjen për lajmi.net.
Nga zyra e Kryeministrit bëjnë të ditur që festimet për 10 vjetor të shtetësisë do të zgjasin pikërisht 10 ditë, nga data 8 e deri më 18 shkurt .
Organizimet do të mbahen nën patronatin e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, me ndihmën edhe të Qeverisë së Kosovës.
“Organizimet për këtë manifestim tashmë kanë filluar dhe ne si Qeveri, që jemi edhe pjesë e Këshillit Organizativ nën Patronatin e Presidentit të Kosovës, bashkërisht kemi vendosur që festa të zgjasë 10 ditë, nga data 8 deri më 18 shkurt, si simbolikë e 10 vjetorit të pavarësisë.” bëhet e ditur nga Zyra e Kryeministrit.
Meliza Haradinaj-Stublla, këshilltare politike e Kryeministrit Haradinaj bëri të ditur për lajmi.net se programi festiv do të bëhet publik shumë shpejt dhe se do të jetë gjithëpërfshirës, si dhe përmbledhje e të gjitha ngjarjeve e sakrificave të shtetit tonë.
“Programi festiv do të bëhët publik shumë shpejtë, mund të konfirmoj se do të jetë gjithëpërfshirës, dhe përmbledhje e të gjitha ngjarjeve e sakrificave të deritanishme tonat. Në kuadër të kësaj, do të ketë edhe nderim të të gjithë atyre që kontribuan që ne të gëzojmë e festojmë këtë ditë.” bën të ditur Këshilltarja Politike nga kabineti i Kryemininistrit Haradinaj.