Muri i ndërtuar në pjesën veriore të Mitrovicës nga ana e autoriteteve lokale të komunës veriore të këtij qyteti vazhdon të nxis reagime të ashpra politike në Prishtinë. Opozita, është duke përgatitur thirrjen e një seance për këtë çështje, duke e ftuar në interpelancë kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa.
Por, paraprakisht, të hënën, çështja e këtij muri, i cili po shihet si muri ndarës i Mitrovicës, është shqyrtuar në Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme.
Aty është kërkuar transparencë dhe llogaridhënie nga institucionet përkatëse, lidhur me projektin për rivitalizimin e urës mbi lumin Ibër, i cili po realizohet në Mitrovicë.
Kryetari i Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme, Elmi Reçica, ka deklaruar se ndërtimi i atij muri dhe qëndrimet të cilat janë dhënë nga autoritetet komunale në veri të Mitrovicës janë jo serioze dhe, siç tha ai, ato qëndrime mund të paraqesin pasoja të rënda për sigurinë në vend.
“Ne duhet të insistojmë që organet përkatëse, që janë të kyçura në këtë projekt, në këto procese, që janë të ndërlikuara dhe të rëndësishme për vendin, të jenë më transparente dhe më llogaridhënëse edhe karshi komisionit, deputetëve dhe para opinionit”, tha Reçica.
Ndërkaq, Puhie Demaku, anëtare e komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se për ndërtimin e murit nuk duhet të diskutohet vetëm në komision, por siç tha ajo, ‘kjo temë e ka vendin në seancë plenare’.
Demaku pohoi se me ndërtimin e murit është prekur thellësisht sovraniteti i Kosovës.
“Vërtetë dhe një mend, kemi të bëjmë me një marrëveshje ndërkombëtare dhe ky është aspekti ku ne mund ta trajtojmë si komision. Megjithatë, me ndërtimin e murin është prekur thellësisht dhe konkretisht sovraniteti dhe integriteti territorial i vendit. Mendoj se ne si deputetë dhe seanca plenare duhet ta thërrasim në përgjegjësi kryeministrin dhe qeverinë, meqë ata janë të mandatuar për administrimin e territorit të vendi dhe zbatimin e ligjve të cilat ne si Kuvend i miratojmë”, tha Demaku.
Kurse deputeti Pal Lekaj, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, tha se rivitalizimi i urës mbi lumin Ibër është dashur të bashkojë qytetin e ndarë të Mitrovicës dhe jo ta thellojë ndarjen. Sipas tij, do të duhej rishikuar të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
“Marrëveshjet që janë shkruar (arritur) larg parlamentit, larg deputetëve, larg qytetarëve të Kosovës, e sidomos qytetarëve të Mitrovicës, po e them se janë marrëveshje të turpshme e marrëveshje ndarëse”, tha Lekaj.
Anëtari tjetër i këtij komisioni, Zafir Berisha nga Nisma për Kosovën, tha se muri është vazhdimësi e projekteve të Serbisë për ndarjen e Kosovës. Ai kërkoi pezullimin e këtij projekti dhe kërkoi dorëheqjen e Ministres për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri.
“Pasoja e gjithë kësaj është se institucionet e Kosovës kanë pranuar që të bisedojnë me Serbinë, të cilën e kanë bërë palë për çështje të brendshme të Kosovës. Ne, si deputetë, ky parlament dhe ky komision, duhet t’i propozojmë Kuvendit, në mënyrë që ai të merr vendim për ndërprerjen e bisedimeve me Serbinë”, tha Berisha.
Ndërsa, deputetja Blerta Deliu, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës ,tha se ndërtimi i murit është një projekt i rëndë dhe nuk do koment.
Ajo tha se duhet të jenë transparente këto vendime dhe kërkoi rrënimin e murit, ngase ka shkelje të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës.