26,11,2024

Demarkacioni, mbijetesa e radhës për koalicionin PDK – LDK

Must Read

E kanë cilësuar si koalicioni i elefantëve e ndonjëherë edhe si koalicion që vret demokracinë e brendshme apo edhe si “guns n’roses”, por Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike, bashkë me pakicat, kanë vazhduar të qeverisin në Kosovë duke u mbështetur në numrat shumicë në Kuvend dhe duke i margjinalizuar partitë tjera.

Ky koalicion i mbijetoi sfidës së dialogut dhe marrëveshjeve me Serbinë. I mbijetoi zgjedhjes së Hashim Thaçit president të Kosovës, një figurë politike që nuk preferohej nga një pjesë e konsiderueshme e deputetëve të LDK-së dhe atyre të pakicës serbe.

Kurse tani ka përpara sfidën e ratifikimit të Marrëveshjes së Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, e cila, jo vetëm sipas opozitës, por edhe disa deputetëve nga partitë në pushtet, po cilësohet se ashtu siç është, rrezikon t’i humb Kosovës mbi 8 mijë hektarë tokë.

Megjithatë, deklaratat e zyrtarëve të caktuar të LDK-së e në disa raste edhe të atyre të PDK-së që parashikojnë edhe prishjen e koalicionit për shkak të mungesës së unitetit për ratifikimin e Demarkacionit, nuk i shohin si kërcënim për qeverinë aktuale shumë nga figurat kryesore politike të dy partive në pushtet dhe as analistët politik.

Deputeti i LDK-së, Sadri Ferati mendon se Demarkacioni nuk po e ndanë PDK-në me LDK-në, por ka deputetë të dyja partive që i kanë bindjet e tyre ndryshe, krahasuar me Marrëveshjen aktuale që ka nënshkruar qeveria e Kosovës me atë të Malit të ZI.

“Tani e kemi situatën për dhe kundër. Më tepër është çështje e bindjeve të deputetëve, sesa diçka partiakisht. Unë nuk kam vërejtur diçka të tillë. Nuk kam vërejtur dallime të shumta ndërmjet PDK-së e LDK-së, sepse ka deputetë në LDK, ku shumica i thonë po, por ka që janë kundër, por ka edhe në PDK po ashtu. Ndërsa opozita është më e unifikuar në lidhje me këtë çështje”, është shprehur Ferati.

Analisti i çështjeve politike, Imer Mushkolaj nuk beson në sinqeritetin e deputetëve dhe zyrtarëve të partive në pushtet, kur flasin për prishjen e koalicionit për shkak të disa çështjeve parimore.

Sipas tij, deputetët dhe zyrtarët e këtyre partive, më shumë po i shfrytëzojnë disa çështje të ndjeshme për realizimin e interesave personale. Si shembull ai merr votimin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi i cili u zgjodh në këtë post, pavarësisht premtimeve të një grupi të deputetëve se asnjëherë nuk do ta bënin një gjë të tillë.

“Zyrtarë të partive politike në koalicion do të ndërrojnë mendjen edhe duke pas parasysh presionin që mund t’u bëhet nga ana e partive dhe nuk e besoj në fakt që ata mund të jenë aq të fuqishëm sa të qojnë deri në plasaritjen, përçarjen apo edhe prishjen eventuale ët koalicionit. Pra, gjithë këtë zhurmë unë besoj se e bëjnë vetëm për përfitime politike, personale”, ka vlerësuar Mushkolaj.

Në qëndrueshmërinë e koalicionit beson edhe zëvendëskryeministri dhe nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hajredin Kuçi.

Sipas Kuçit, janë konceptet qeverisëse e programore ato që e mbajnë gjallë apo jo një qeveri të koalicionit dhe jo deklaratat e individëve.

“Koalicionin qeverisës as nuk e kanë lidhë dhe as nuk e vënë në krizë disa deklarata. Koalicionin qeverisës e vënë në krizë ose jo parimet, konceptet dhe programi qeverisës”, është shprehur Kuçi.

Për prishjen e koalicionit, kanë folur qoftë deputeti nga radhët e PDK-së, Nait Hasani apo në anën tjetër, disa zyrtarë të LDK-së, si Vjosa Osmani, Adem Salihaj e së fundit edhe ministrja Hykmete Bajrami.

Koalicioni i gjerë ndërmjet PDK-së dhe LDK-së, ku bëjnë pjesë edhe pakicat, në momentin e themelimit kishte gjetur edhe mbështetjen ndërkombëtare për shkak të zotimit të liderëve të tyre për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte dhe vazhdimin e dialogut politik me Serbinë.

Lidhjen e koalicionin ndërmjet dy partive më të mëdha politike në Kosovë, partitë opozitare e patën cilësuar si vrasje të demokracisë së brendshme.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Për tre vjet KRM “Pastërtia” në Ferizaj kursen mbi 600 mijë euro nga rritja e të hyrave

Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastërtia” në Ferizaj gjatë viteve të fundit ka përmirësuar gjendjen financiare derisa ka kursyer nga...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img