18,11,2024

Dastid Pallaska kujton mikun e tij, Beau Biden

Must Read

Sot Kosova nderoi familjen Biden, duke i dhënë emrin “Beau Biden” rrugës magjistrale Ferizaj-Gjilan. Avokati Dastid Pallaska, shpalos kujtimet për mikun e tij të ndjerë Beau, djalin e zëvendëspresidentin amerikan, Joe Biden. Shkrimin e postuar në profilin e tij në Facebook, mund ta lexoni të plotë më poshtë.

“Një kujtim për kolegun dhe mikun tim Beau Biden

Sot Kosova nderoi Beau Biden, një Prokuror Federal në Shtetet e Bashkuara dhe më vonë Kryeprokuror i Delaware, i cili në vitin 2001 ishte pjesë e ekipit të Departamentit të Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara në Prishtinë që po punonte në funksionalizimin dhe reformimin e sistemit të rrënuar të drejtësisë në Kosovë. Beau ishte edhe djali i madh i Zëvendës Presidentit aktual të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.

Për ata që nuk e kuptojnë, si dhe për ata që e kuptojnë por nuk dëshirojnë ta pranojnë, arsyeja kryesore e vizitës së Zëvendës Presidentit Biden në Kosovë ishte pjesëmarrja në ceremoninë e organizuar për nder të të birit, Beau. Për Zëvendës Presidentin Biden dhe familjen e tij kjo vizitë para se gjithash paraqet një moment të rëndësishëm personal për të mbledhur, nderuar dhe gëzuar secilin kujtim të mundshëm për Beaun, i cili u largua nga kjo botë para kohe.

Përkundër qëllimit parësor të vizitës së Zëvendës Presidentit Biden në Kosovë, jo pak politikan vendor u munduan të përdorin këtë vizitë për të rehabilituar vetveten dhe/apo kauzat e tyre të humbura politike. Për këtë arsye – përveç fjalëve të përgjithësuara të mirënjohjes – në paraqitjet e tyre këta politikan nuk folën për punën konkrete të Beau-së në Kosovë.

Duke qenë një ndër kolegët më të ngushtë të Beau-së gjatë shërbimit të tij në Kosovë, e ndjej për obligim që të ndaj me qytetarët e vendit – në emër të të cilëve u nderua sot Beau – disa fragmente nga përvoja ime me Beau e të cilat shpalosin sado pak kontributin e Beau-së për Kosovën.

Beau ishte pjesë e gjeneratës së dytë të prokurorëve federal nga Shtetet e Bashkuara që – në kuadër të zyrës së Departamentit të Drejtësisë të Shteteve të Bashkuara në Prishtinë – ishin të kyçur në mënyrë të drejtpërdrejtë në funksionalizmin dhe reformimin e sistemit të shkatërruar të drejtësisë në vend. Në këtë cilësi, Beau kishte dhënë kontribut të pazëvendësueshëm në themelimin dhe funksionalizmin e Institutit Gjyqësor të Kosovë, ku shërbeu si ligjërues për çështje me rëndësi të kohës, përfshirë edhe ndjekjen penale dhe gjykimin e krimeve të luftës.

Përderisa në vitin 2001 të gjithë – e edhe zyra e Departamentit të Drejtësisë të Shteteve të Bashkuara në Prishtinë – ishin pothuajse ekskluzivisht të përqendruar në adresimin e problemeve imanente të Kosovë, siç ishte ngritja e kapaciteteve të gjyqtarëve dhe prokurorëve për të administruar drejtësinë, Beau e kishte vizionin të mendonte edhe për të ardhmen. Qysh në vitin 2001 Beau filloi të diskutonte për nevojën e reformimit të Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës, i cili – për shkak të neglizhencës së administratës vendore dhe ndërkombëtare – nuk po i përgjigjej kërkesës së kohës për të prodhuar kuadro që do të transformonin sistemin e vjetruar të drejtësisë në vend, si për nga shkathtësitë ashtu edhe për nga mënyra e të menduarit. Kjo ide e Beau u materializua disa vite më vonë kur Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara filloi zbatimin e projektit të mësimit klinik i cili tashmë është pjesë e plan-programit të rregullt të Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës.

Ndoshta kontributi i tij më i rëndësishëm për sistemin e drejtësisë në vend mbetet orientimi i diskutimit për reformën e Kodit të Procedurës Penale në drejtim të sistemit të përzier akuzator të bazuar në modelin e Shteteve të Bashkuara. Ende kujtoj prezantimin e tij në një tryezë të rrumbullakët për rolin e prokurorit në sistemin amerikan të drejtësisë ku – duke cituar vendimin e Gjykatës Supreme të Shteteve të Bashkuara në rastin Berger v. United States, 295 U.S. 78 (1935) – Beau dha përkufizimin e rolit të prokurorit që i nevojitet Kosovës:

Prokurori nuk është përfaqësues i një pale të zakonshme në një mosmarrëveshje por është përfaqësues i sovranitetit detyrimi i të cilit për të qeverisur në mënyrë të paanshme është po aq i madh sa është edhe mandati për të qeverisur në pikë të parë dhe, për këtë arsye, interesi i të cilit gjatë një ndjekje penale nuk është që të fitohet rasti por që të bëhet drejtësia. Si i tillë, ai është në mënyrë të veçantë dhe përfundimtare të fjalës shërbyes i ligjit, i cili ka dy qëllime: që fajësia të mos ikë pa u ndëshkuar dhe të mos vuajë pafajësia. Ai mund të ndjekë penalisht me sinqeritet dhe me zell dhe në fakt ai duhet ta bëjë këtë gjë. Por, përderisa ai mund të bëjë goditje të forta, ai nuk e ka lirinë të bëjë goditje të gabuara. Është po aq obligim i tij të përmbahet nga metodat e palejuara sa është detyrim i tij të përdorë të gjitha mjetet legjitime për të sjellë një vendim të drejtë.

Ky orientim i hershëm – i inspiruar edhe nga vendimi i përmendur më lartë – ishte kyç në përpjekjen jo të lehtë për të sjellë në Kosovë sistemin e përzier akuzator të drejtësisë.

Në nivelin personal Beau ishte një mentor i shkëlqyeshëm dhe mik i vërtetë. Shpesh kujtoj debatet e mija me të për të ardhmen e Kosovës. Me zellin dhe naivitetin e një të riu mundohesha ta bindja Beau-në se zgjidhja e vetme për këtë vend ishte pavarësia. Duke qenë një jurist i mprehët, Beau kishte vërejtur se argumenti im kryesor për pavarësi ishte shpërblimi për vuajtjet që qytetarët e këtij vendi kishin pësuar gjatë okupimit serb. Me gjakftohtësinë e një profesionisti Beau më thoshte se shteti nuk duhet të kërkohet, apo të përjetohet, si shpërblim. Shteti, thoshte Beau, është para se gjithash përgjegjësi.

Pikërisht nga ky këndvështrim i tij e mbaj në mend edhe një pyetje të vështirë që Beau kishte parashtruar gjatë një takimi me udhëheqjen e Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës në vitin 2001. Pas prezantimit të zakonshëm për mysafirët e huaj nga udhëheqja e Fakultetit Juridik – e që përfshinte edhe fotot e bodrumeve të Fakultetit Juridik të cilat gjatë kohës së bombardimeve të NATO-së ishin përdorur për dhunime – Beau pyeti nëse Universiteti i Prishtinës ofron mësim në gjuhën serbe. E kujtoj se kjo nuk ishte pyetja më e përshtatshme për tu bërë në vitin 2001, kur dhimbjet për krimet e regjimit të Miloshevicit ishin tejet të freskëta. Pas takimit – krahas përpjekjes time për ta (ri)vetëdijesuar për krimet serbe në Kosovë – e pyeta Beau-në pse e bëri këtë pyetje. Ai u përgjigj thjesht. Tha se nëse nuk ju ofroni qytetarëve tuaj serb edukim në gjuhën amtare këtë do ta bëjë dikush tjetër. Fjalën, normalisht, e kishte për Serbinë. Edhe ky ishte një mësim për përgjegjësinë e të qenit shtet, përgjegjësi për të cilën unë dhe bashkëkohanikët e mi dinim pak në vitin 2001.

Në fund, por jo për nga rëndësia, më duhet të them disa fjalë edhe për modestinë e Beau-së dhe raportin e tij me Zëvendës Presidentin Biden. Menjëherë pas ardhjes së Beau-së në Kosovë, u paralajmërua vizita e nivelit të lartë nga baba i tij, Joe Biden, i cili në atë kohë ishte Kryesues i Komitetit për Politikë të Jashtme në Kongresin Amerikan. Beau – i cili në atë kohë ishte në të tridhjetat e hershme – e dinte se pas kësaj vizite të gjithë në Kosovë do ta kuptonin se Beau vjen nga një familje me rëndësi në politikën e Shteteve të Bashkuara. Gjatë takimeve që zhvilloi me udhëheqjen e Kosovës në atë kohë, Zëvendës Presidenti Biden kishte ftuar Beau-në t’i qëndronte në krah. Në këtë mënyrë i gjithë lidershipi politik i Kosovës kishte kuptuar rëndësinë e Beau-së, përtej pozitës së tij formale në Kosovë. Pas kësaj vizite nuk ishin të rralla përpjekjet e politikanëve të vendit për të zhvilluar kontakte me Beau-në. Politikanët kosovar dëshironin të hapnin një kanal paralel të komunikimit me Zëvendës Presidentin Biden. Me mirësjellje Beau i refuzoi të gjitha kontaktet me politikanët vendor, me arsyen e thjeshtë se kjo nuk ishte puna për të cilën kishte ardhur në Kosovë.

Ky refuzim më bëri të kuptoj dy gjëra të rëndësishme për Beau-në dhe cilësitë e tij personale. E para se Beau ishte një institucionalit që respektonte punën e vet po aq sa punën e të tjerëve. Dhe, e dyta, se Beau nuk dëshironte të përfitonte avantazhe – qofshin ato edhe shoqërore – nga mbiemri i tij. Këto vlera i mbajti deri në fund të jetës së tij. E gjithë karriera e Beau-së në Shtetet e Bashkuara dhe në Kosovë tregon se Beau ishte një profesionist i pasionuar që suksesin e tij dëshironte ta bazonte në kapacitetet personale dhe mbi parimin e meritokracisë — një shembull që duhet ta ndjekim të gjithë.

Qoftë i përjetshëm kujtimi për ty miku im”, ka shkruar Pallaska.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Aksident në Ferizaj, përfshihen tri vetura – lëndohen 5 persona

Pesë persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti në mes tri veturave ne Ferizaj. Aksidenti ndodhi në rrugën...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img