Kontinenti i vjetër përjetoi një fundjavë plot me emocione të forta, njëherë me referendumin në Itali dhe me pas me votimet në Austri. Dorëheqja e kryeministrit italian, Matteo Renzi në orët e para të së hënës tregoi një shenjë pasigurie për Italinë, ku njerëzit i dhanë një “jo” të fuqishme ndryshimeve kushtetuese.
Kjo në vetvete tregoi haptazi një shenjë revolte ndaj elitës politike që ka zënë rrënjë, e ku sipas votuesve italianë ndryshimet që Renzi kërkonte nuk do të bënin asgjë tjetër veçse do të forconin pozitën e tij.
Por jo shumë larg Italisë, në Austri fitorja e ish-pjesëtarit të Partisë së Gjelbër, Alexander Van der Bellen ndaj kundërshtarit të ekstremit të djathtë, Norbert Hofer, është pritur me një ndjenjë çlirimi.
Në një Europë që po ndihet ndjeshëm infektimi nga populizmi, pyetja që ngrihet është se, çfarë instikti do të ndjekin votuesit gjermanë dhe ata francezë kur t’u vijë radha për të zgjedhur? Po ashtu, një tjetër dilemë është se: a e pret Italinë pas referendumit një rrugë e ngjashme si Brexit në Angli?
Sipas analistëve, skenari po i afrohet të ashtuquajturit Itexit. Fituesit më të mëdhenj pas rrëzimit të Mateo Renzit janë lëvizja politike e ish-komedianit Beppe Grillo, e cila në thelb ka ndiejna anti-Europiane.
Në këtë situatë, mesazhi për Brukselin është i qartë; në qoftë se ata arritën të rrezojnë kaq fuqishëm Renzin, atëherë edhe mund ta largojnë po aq lehtë Italinë nga blloku tashmë 27 kombësh.
.