02,05,2024

Brenda një dite në Ferizaj 18 persona me COVID-19, kërkohen materiale shëndetësore

Must Read

Në Ferizaj dje 18 persona kanë rezultuar të infektuar me virusin COVID-19. Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka thënë se po bëjnë çdo gjë për ta mbajtur situatën nën kontroll, ndërkohë thekson se Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare dhe spitali nuk janë mjaftueshëm të pajisura me materiale shëndetësore.

I pari i kësaj komune konsideron se janë marrë masat e nevojshme si nivel lokal, për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Megjithatë, sipas tij, nuk është e mjaftueshme kufizimi i lëvizjes së qytetarëve në orar të caktuar.

“Nuk është e mjaftueshme vetëm të hidhen shiritat për ndalim, sepse qytetarët po i kalojnë ato dhe po frekuentojnë nëpër sheshe. Pra, i gjithë fokusi jonë duhet të jetë se çfarë të bëjmë me kohën kur është lëvizja e lirë sepse ajo është duke cenuar sigurinë e shëndetit publik dhe mund të shndërrohet në një mundësi më shumë për përhapjen e COVID-19”, thotë Aliu.

Tashmë ai thekson se kanë marrë vendim që asnjë shërbim në administratën komunale të mos bëhet pa masa mbrojtëse.

Ndër të tjera, ai thotë për KosovaPress, se QKMF-të në Ferizaj nuk janë mjaftueshëm të pajisura me materiale shëndetësore.

“Vazhdueshëm kemi pasur dhe vazhdojmë të kemi kërkesa nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare, qoftë nga spitali regjional se janë të pamjaftueshme materialet, respektivisht masat që ata i kërkojnë. Po presim që qeveria të ndajë më shumë kontingjente për të gjitha komunat përfshirë edhe komunën e Ferizajt. Në mënyrë që të jetë më mbështetëse ndaj atyre që janë duke bërë luftën, dhe atyre që në fakt ne duhet t’i mbrojmë sepse pa ata ne nuk mund të bëjmë luftën për ata që janë të infektuar”, shton Aliu.

Ai flet edhe për personin që ka vdekur në regjionin e Ferizajt.

“Një që fatkeqësisht ka vdekur, por në fakt pas vdekjes është konstatuar që është pozitiv me COVID-19. Sepse ai ka shkuar për krejt çështje tjetër dhe ka pasur simptoma krejtësisht tjera klinike. Por, pas vdekjes janë marrë masat dhe ka dalur pozitiv”, thekson kryetari i komunës së Ferizajt.

Agim Aliu thotë se po bëhet një numr i vogël i testimeve në nivel vendi, por edhe në Ferizaj.

“Kemi kërkuar nga institucionet qendrore dhe ditëve të kaluara, që është kërkesë e të gjithëve tashmë, që të ketë sa më shumë teste… Ne shpesh, qytetarët që shfaqin simptoma të caktuara që janë të ngjashme me ato të COVID-19, kur lajmërohen institucionet qendrore për të bërë testet, ata refuzojnë”, deklaron Aliu.

Marrë parasysh masat të marra, bizneset tash e sa kohë janë mbyllur, për këtë Aliu thotë se komuna që ai udhëheq është më kontribut dhënësja për arkën e shtetit. Ai kërkon që në seancën e cila do të mbahet në Kuvendin e Kosovës, pakoja fiskale të përkrahë më shumë komunitetin e bizneseve.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Policia rajonale e Ferizajt konfiskon motoçikleta dhe skuter pa dokumentacion të rregullt

Policët e Komunikacionit Rrugor dhe polcicët e stacionit të Ferizajt sot kanë zbatuar planin operativ " Motoçikleta dhe Trotineti...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img