26,12,2024

BQK shkel ligjin për leje ndërtimi në Prizren

Must Read

Prizren-new-650x358

Punët ndërtimore në Qendrën Historike të Prizrenit vazhdojnë që të realizohen pa lejen e autoriteteve komunale dhe pa pëlqimet e organeve përgjegjëse për trashëgiminë kulturore në këtë zonë të mbrojtur. Madje shpërfillja e këtyre organeve nuk bëhet vetëm nga investitorë privat, por edhe nga vet institucionet shtetërore, ka bërë të ditur përmes një komunikate OJQ ‘Ec Ma Ndryshe’.
Rasti i fundit i nisjes së punimeve pa leje e pëlqime përkatëse, sipas Ec Ma Ndryshe ka të bëjë me intervenimin ndërtimor në objektin që do të shërbejë si qendër e Bankës Qendrore të Kosovës në Prizren.

Në një shkresë të datës 8 prill 2016, Drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor ka konfirmuar se BQK-ja nuk është pajisur me leje ndërtimi. “Shërbimi i Drejtorisë për Urbanizëm dhe Planifikimit Hapësinor, në bazë të evidencës që posedon ky organ, lidhur me kërkesën e juaj për informatë se a janë të pajisur me leje ndërtimi, ju informojmë se BQK-ja nga organi në fjalë nuk është i pajisur me leje”, thuhet në përgjigjen e DUPH-së.

Ndërsa Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren më datën 14 mars 2016 ka dërguar një kërkesë për intervenim te Inspektorati i Komunës së Prizrenit, me të cilin shkresë janë njoftuar edhe zyrtarë të lartë të Komunës dhe të MKRS-së, rreth punëve ndërtimore në objektin e BQK-së dhe në një objekt tjetër privat. “Ju njoftojmë se po zhvillohen punime pa pëlqimin e QRTK-së në pjesën e pasme të objektit të financave të Komunës së Prizrenit (objekti i BQK-së v.j.)”, thuhet në shkresën zyrtare, në të cilën po ashtu është theksuar se punimet zhvillohen pa pëlqimin e QRTK-së edhe në sheshin Shatërvan, përballë ish-Shtëpisë së Mallrave.

QRTK ka njoftuar më 31 mars 2016 edhe EC Ma Ndryshe se nuk kishte pranuar kërkesë për pëlqim rreth renovimit të objektit të BQK-së, dhe se rrjedhimisht nuk ka lëshuar pëlqim në rastin në fjalë.

Zyrtarë të QRTK-së kanë njoftuar se kërkesa për pëlqim për renovimin e këtij objekti është adresuar vetëm pak ditë më parë.

EC Ma Ndryshe përkujton se neni 4 i Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit përkufizon se “Qendra e mbrojtur historike e Prizrenit, si pronë e trashëgimisë kulturore në mbrojtje përfshihet në listën e trashëgimisë kulturore, në mbrojtje të përhershme të Republikës së Kosovës”.

Ndërsa neni 16, obligon DUPH-në që t’i dorëzojë QRTK-së dhe kryesuesit të KTK-së një kopje të të gjitha kërkesave për projekte për leje urbanistike, ndërtimi, rrënimi apo ndryshimi të objekteve, për ndërrim të destinimit të tyre, zhvillim të aktiviteteve të përkohshme apo çfarëdo zhvillimi tjetër brenda Qendrës Historike të Prizrenit, të cilat organe pas shqyrtimit të kërkesave duhet ta japin pëlqimin ose ta refuzojnë kërkesën, brenda afateve të përcaktuara.

Këto raste paraqesin vazhdimësinë e shkeljeve ligjore në Qendrën Historike të Prizrenit, ku përsëri po dëshmohet mospërfillja ndaj autoriteteve lokale e atyre të trashëgimisë kulturore dhe detyrimit për pajisje me leje e pëlqime për ndërtim apo ndryshime në objekte.

EC Ma Ndryshe ka konstatuar disa herë se mungesa e koordinimit të mirëfilltë institucional në të gjitha nivelet po i minon përpjekjet për vendosjen e ligjshmërisë dhe rregullsisë në Qendrën Historike të Prizrenit. Ndërkohë kësaj here po vërtetohet se as institucionet shtetërore nuk përbëjnë ndonjë përjashtim në këtë drejtim, meqë nuk i përfillin autoritetet e trashëgimisë kulturore në Prizren.Prandaj, EC Ma Ndryshe përsërit thirrjen që institucionet e të gjitha niveleve të shtojnë nivelin e përgjegjësisë së tyre në zbatimin e ligjit dhe paralelisht t’i shtojnë angazhimet në drejtim të ruajtjes, konservimit dhe promovimit të vlerave të rralla të trashëgimisë së qytetit të Prizrenit

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Agim Aliu: I gjithë Ferizaj në terr, kjo është e pashembullt!

Ditëve të fundit e veçanërisht sot, Ferizaj po përballet me gjendje të pashembullt e të pandodhur më parë sa...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img