Iniciativë shumë e mirë vlerësohet të jenë mbledhjet e përbashkëta te dy qeverive, Kosovës e Shqipërisë dhe nënshkrimi i shumë marrëveshjeve në fusha të ndryshme. Megjithatë, është pritur që gjithë ky angazhim, tani në prag të takimit të gjashtë, të rezultojë më i suksesshëm.
“Nëse e shohim në retrospektivë, përkundër asaj që ka pasur marrëveshje të shumta, shohim që në shumë fusha, qytetarët nuk janë ata që kanë përfituar. Ne kemi parë që shumë marrëveshje janë nënshkruar në bujqësi, por kemi parë gjithashtu që bujqit e të dy anëve janë detyruar të protestojnë për arsye se janë dëmtuar me vendime të ndryshme të qeverive në të dy anët”, shprehet ish-zv. ministër i Arsimit, Nehat Mustafa.
Sidoqoftë, faktin që bashkëpunimi ndër-shqiptar mund të arrihet pa pasur nevojë fare për mbledhje të tilla, e tregon rasti i abetares së përbashkët.
“E di që në vitin 2012 është promovuar Abetarja e përbashkët ku unë nga pala kosovare, respektivisht Ministria e Arsimit dhe z. Halit Shamata nga Ministria e Arsimit të Shqipërisë, udhëhoqëm dy grupe punuese të cilat në fund përzgjodhën Abetaren e përbashkët”, thotë Mustafa.
Plani ishte të fillohet me Abetare e të vazhdohet edhe në nivele të tjera të arsimit, si fillor, të mesëm, universitar e sidomos në hartimin e kurrikulave për tekste të arsimit profesional sepse ka mungesë në të dy vendet. Por çfarë ndodhi me këtë plan bashkëpunimi?!
“Unë e di që për momentin ka mbetur tek Abetarja. E di që kornizën e kurrikulit, Kosova e ka miratuar më herët Republika e Shqipërisë e ka marrë si model si bazë për të filluar por nuk është e përbashkët si dokument”, shtoi ai.
Ish zv.ministri i Arsimit, rikujton se përkundër shumë marrëveshjeve të përbashkëta Kosovë- Shqipëri, nuk ka një bilanc të realizimeve apo dështimeve.
“Duhet të dy qeveritë tanimë të bëjnë një analizë të këtij bashkëpunimi. Të dihet saktësisht se sa janë realizuar ato marrëveshje. Nëse nuk janë realizuar, kush janë faktorët që kanë ndikuar në mosrealizimin e atyre marrëveshjeve. Nëse janë faktorë të tjerë që nuk varen prej të dy qeverive, atëherë të rishikohen ato marrëveshje”, thotë Mustafa.