26,11,2024

“Ballkani Perëndimor dhe Turqia po dështojnë ta luftojnë korrupsionin”

Must Read

Elitat politike kanë shumë fuqi dhe ka pak mënyra për të kërkuar llogari nga të korruptuarit, vlerëson Transparency International- lëvizje globale kundër korrupsionit, në të cilën Instituti Demokratik i Kosovës është anëtar për Kosovë.

Sipas një komunikate të Instituti Demokratik të Kosovës (KDI), raporti i ri i Transparency International,  “Luftimi i Korrupsionit në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në Turqi: Prioritetet për Reforma” krahason të gjeturat nga shtatë vlerësime të Sistemit të Integritetit Kombëtar të zbatuara nga degët e Transparency International në Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Serbi dhe Turqi. Studimi shikon se sa të afta janë institucionet në këto vende për të luftuar korrupsionin.

“Nivelet e korrupsionit dhe qeverisja e dobët në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në Turqi minojnë stabilitetin në  një rajon të brishtë që vetëm është në një gjendje të pasigurtë, në kufi të një rajoni të përfshirë në luftë”, thuhet në raport.

Transparency International vlerëson se Bashkimi Evropian duhet të sigurohet që është i rreptë në negociatat e anëtarësimit lidhur me drejtësinë dhe të drejtat themelore dhe liritë, siç janë përcaktuar në kapitujt 23 dhe 24 të procesit të aderimit në BE.

Sa i përket Kosovës sipas KDI-së, raporti cek se problem mbetet mbivendosja institucionale në luftimin dhe parandalimin e korrupsionit, gjë që shkakton huti te qytetarët. Një vërejtje tjetër e theksuar është numri i ulët i dënimeve për korrupsion.

“Në Kosovë, korrupsioni vlerësohet si një prej problemeve më të mëdha karshi ekonomisë së dobët dhe papunësisë. Kjo vjen si pasojë e performancës të kufizuar të sistemit të gjyqësisë për ta luftuar atë. Këtë më së lehti mund t’a vërtetojmë duke iu referuar mungesës së rezultateve konkrete nga prokuroria dhe gjyqësori”, ka thënë Visar Sutaj nga KDI gjatë lansimit të raportit në Bruksel.

Raporti gjithashtu renditë arritjet, sikurse reformat në gjyqësi që ju lejon Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës diskrecion në hartimin dhe propozimin e buxheteve të tyre në Kuvendin e Kosovës, dhe thekson me një notë pozitive pavarësinë institucionale të policisë që është relativisht e fuqishme në krahasim me vendet tjera që janë fokus i studimit.

Raporti i ka rekomandimet kyçe në vijim:

Të zvogëlohet ndikimi i ekzekutivit mbi gjyqësorin dhe prokurorinë, duke siguruar sisteme transparente dhe më objektive për emërimin, transferimin dhe largimin nga puna të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Të hetohen pa vonesa të gjitha pretendimet për kërcënime dhe dhunë ndaj përfaqësuesve të medias dhe të shoqërisë civile dhe të zbatohen dënime të rrepta kur provohet se këto pretendime janë të bazuara.

Të zhvillohet një mbikëqyrje më e fuqishme dhe më e koordinuar e partive politike dhe financave gjatë fushatave dhe për aktivitete, dhe të sigurohet që shkelja e rregulloreve të zgjedhjeve dhe të fushatave të ndëshkohet në mënyrë konsistente./ lajmi.net

.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

30 gra udhëheqëse të agrobizneseve përfitojnë 300 mijë euro grante

Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Burim Bajrami mori pjesë sot në tryezën tematike "Mundësitë e grave në sektorin bujqësor,...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img