Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, ka njoftuar se deri më tani Kosova ende nuk është prekur nga koronavirusi.
“Lajmi i mirë është që deri më tani nuk kemi asnjë rast të konfirmuar me Covid-19”.
Ai tha se ndërmerrja e masave që nga dita e djeshme kane për qëllim parandalimin e përhapjes së koronavirusit dhe mbrojtjen e shëndetit publik.
Ai gjithashtu njoftoi se tashmë iu kane dërguar Qarkoren Informative të gjitha institucioneve shëndetësore, publike dhe private, që ka për qëllim mbrojtjen e stafit dhe sigurimin e pacientëve.
Vitia tha se ndër masat e parapara me këtë qarkore janë ndalimi i shoqëruesve të panevojshëm për pacientë; të gjitha institucionet shëndetësore të kenë dhoma të veçanta te përgatitura për raste të dyshimta; të realizohen kontrolle dhe inspektime maksimale; të shtohet kontrolli i brendshëm profesional; të rritet në maksimum përkujdesja e stafit shëndetësor për higjienë personale dhe publike; të aplikohen masat mbrojtëse; të vendosen materialet informuese për koronavirusin si dhe të raportohet nga të gjitha institucionet shëndetësore çdo rast i dyshimtë për koronavirus.
Ndër të tjera Vitia këshilloi të gjithë qytetarët që të jenë të kujdesshëm me higjienën e tyre – pastrimi i duarve – të aplikohet distancë nëpër vendet publike, personat e moshuar dhe me sëmundje kronike t’i reduktojnë lëvizjet jashtë si dhe rekomandohet lirimi nga puna i njërit prind, apo edhe i atyre personave që mund t’i realizojnë detyrat nga shtëpia.
Ministri i Shëndetësisë bëri apel tek të gjithë qytetarët që këto masa të kuptohen vetëm si kujdes i shtuar për shëndetin publik dhe theksoi se Kosova bën pjesë në mesin e vendeve me rrezikshmëri të ulët për koronavirus.