“Daçiq e ka thënë deklaratën ose analizën me emocione, por kjo ka edhe pasoja tjera meqenëse të gjithë ne e dimë se vjen një kohë kur Serbia po ashtu fuqizohet duke marrë përkrahjen nga Rusia si dhe duke lënë hapësirë për zhvillimin e neonacizmit ose xixave tjera për konflikte të mundshme në rajon. Kjo është çështje serioze dhe besoj se Serbia nuk e mendon me seriozitet atë që e ka thënë Daçiq”, tha analisti Albert Hani.
Retorika e Daçiqit është e para e llojit të tillë nga ana e Serbisë, e cila është e habitshme dhe e pakuptueshme në angazhimet për marrëdhënie të mira fqinjësore, vlerësojnë nga Instituti për Politika Evropiane. Megjithatë, sipas tyre ky qëndrim i tij është rezultat i ndikimit të dobët të diplomacisë së Maqedonisë.
“Nga ana jonë e medaljes megjithatë, ajo tregon një politikë të jashtme të pafuqishme, pozita jonë bie pingul në rajon, dhe kjo është gjithashtu diçka që duhet të na brengosë. Ajo që është urgjentisht e nevojshme për Maqedoninë, është rimëkëmbja e saj e brendshme e cila do mund të reflektohet më vonë me një politikë të jashtme të forcuar, dhe në çdo rast prioretizimi i marrëdhënieve me fqinjët”, deklaroi Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.
Shefi i diplomacisë së Serbisë Ivica Daçiq ka thënë se vendi tij ka gabuar që ka njohur Maqedoninë me emrin kushtetues, kjo për shkak se Maqedonia ka njohur pavarësinë e Kosovës. Ai tha se me njohjen e Maqedonisë serbët i kanë fyer vëllezërit e tyre grekë. Ndërkohë kreu i Partisë Liberal Demokratike Çedomir Jovanoviq qëndrimin e këtillë të shefit të diplomacisë serbe e cilësoi përkeqësim me vetëdije të marrëdhënieve duke quajtur Daçiqin “nacionalist i vetëdijshëm”./Alsat/
.