20,11,2024

Akademi përkujtimore për heroin e kombit Zejnullah Zejna në Bielefeld të Gjermanisë

Must Read

Ditë më parë në Bielefeld të Gjermanisë u mbajt akademi përkujtimore për heroin e kombit, Zejnullah Zejnën.

Para bashkatdhetarëve, familjarëve dhe veteranëve të UÇK-së folën kryetari i klubit “Kosova 81” Faton Dervisholli, Bekim Shala nga klubi i Stukenbrockut, Naser Dermaku, Osman Maliqi, Ramadan Nimani dhe autori i këtyre rreshtave, Sylejman Salihu.

Shyqeri Zeqiri, shok lufte i Zejnullah Zejnës, rrëfeu kujtime nga lufta me heroin Zejna.

Në emër të familjarëve falënderoi Hetem Zejna.

Sylejman Salihu
Zejnullah Zejna – ky kalorës i lirisë

Kur para 20 vjetësh nëpër malet dhe istikamet e luftës jehonin pushkët e lirisë për çlirimin e Kosovës, të gjithë kemi besuar dhe shpresuar se liria , më në fund, do të vinte. Por si do vinte kjo liri? A do të vinte si një dhuratë e stolisur, që na e falin të tjerët? Apo mbase do të vinte si një shpërblim që vjen një mëngjes të hershëm me diell pa re të zeza në qiell?
Jo dhe sërish jo. Të gjithë kemi qenë të vetëdijshëm se kjo liri, e cila tashmë ishte nisur të vinte, po vinte jo me fjalët e bukura, por me krismat e lirisë që e jepnin tingëllimën e bukur, e cila dilte nga gryka e pushkëve. Ishte një sihariq, se toka që po digjej me hekur e zjarr, një ditë do të çlirohej dhe në vend të erës së tymit dhe të barotit do të vinte flladi i lehtë i lirisë nëpër fushat, malet, lëndinat dhe luadhet e mbushura me koloritin dhe bukurinë e lulëkuqeve të Kosovës. Do të vinte kjo ditë dhe nuk kishte si të mos vinte, se ishin pushkët e mijëra pushkëtarëve, që në agimin e hershëm dhe në muzgun e vonë, në ditët me re të zeza dhe netët pa hënë, fishkëllinin, gjëmonin, ulërinin. Do të vinte nën breshërinë e plumbave dhe gjëmimin e topave, predhave, murtajave, granatave dhe bashkë me heroizmin e tyre do t‘ ia sillnin lirinë dashurisë së tyre më të madhe, që quhej atdhe, që quhej Kosovë. Në mes tyre ishte edhe Zejnullah Zejna i Sojevës, të cilin nuk mund ta linte rehat tundimi i madh, që edhe ai vetë të vinte një gur në ndërtesën e madhe të lirisë. Se ajo po ngrihej si në legjendën e moçme të Rozafatit, duke u bërë fli në themelet e saj. A s’ ishte vetë Rozafa që rrinte krenare mbi majën e një kodre, dhe që na dha mësimin e madh të historisë, se për të pasur të madhërishmen duhet të kacafytesh me tragjiken, për të pasur të admirueshmen duhet të japësh të shtrenjtën si një këmbim i pashmangshëm. Pra e thënë më shkurt: duhet të vdesësh, që të lindësh përsëri. Të rritur me legjendën e moçme shqiptare, që përçonte ndër breza një qëllim dhe një ideal të lartë, edhe djemtë më të mirë të kombit shqiptar, e kuptuan herët se është lufta ajo që i hapë portat e lirisë, ndaj duhej bërë , që kjo portë të hapej. Lufta nuk është një fushë me lule, ajo në fakt është një tokë me llogore të mbushura me gjak, por kur Bajlozi u shfaq në Tokat e Arbërit, atëherë ngrihen edhe Gjergj Elezat dhe kryejnë testamentin e madh të nderit në fushën e mejdanit. Në këtë luftë të prirë nga prijatarja dhe dalëzotësja e saj e quajtur UÇK- Zejnullah Zejna u gjet i rreshtuar jo rastësisht. Se Zejnullah Zejna ndërdijshëm ishte pikëtakuar me porosinë dhe Testamentin Politik të Fridrihit të II-, që këshillonte : “detyra e parë e qytetarit është t’ i shërbejë atdheut”. Dhe me se do të duhej t’ i shërbejë? Me jetën e tij, me punën e tij, me veprën e tij e më në fund edhe me vdekjen e tij. E vdekja është akti më i lartë, më sublim, më madhështor, për t’ u quajtur pse jo edhe më hyjnor. Ishte edukimi i tij, atdhedashuria e tij që bashkë me guximin qytetar e bën Zejnullah Zejnën personazh të librit të madh të kësaj historie të lavdishme kombëtare, teksa shekulli i robërisë po ia lëshonte rrugën shekullit të lirisë. Pra ai u bë personazh i një historie të re, që kërkonte t’ ia ndryshojë dhe t’ ia qepte hartën e copëtuar e të shkërmoqur atdheut të robëruar ndër shekuj. Dhe jo një hartë të grabitur e të zhvatur me dhunë, por një hartë të veten, të marrë edhe me bekimin e këtij kontinenti plak, që quhet Europë. Zejnullah Zejna shkoi si një qytetar i pasprovuar, i pastërvitur, i patrajnuar dhe hyri në llogore të luftës si luftëtar, madje si një luftëtar topxhi, që hedh granata dhe predha në kampin e armikut dhe përfundoi dëshmor. Mbaroi detyrën dhe iku. Iku jo si humbës, por si triumfator. Pra, ai bëri detyrën. Po sot si na vjen ai? Ç’ kostum ka veshur Zejnullah Zejna sot? Sot, domethënë pas njëzet vjetësh, ai vjen më i madh me një gradë më shumë, që është edhe grada më e lartë: Zejnullah Zejna vjen me titullin e lartë: Hero i Kombit. Në këtë ngjitje dhe në këtë gradim të lartë Zejnullah Zejna erdhi jo me nxitim. Ai erdhi me shumë durim, i qetë, pa zhurmë por gjithnjë duke u rritur në përmasën e tij heroike në Olimpin e Hyjnive, që kurrgjë nuk marrin, sepse ata dinë vetëm të japin. Atje, nga lart ai me mijëra të tjerë na bëjnë dritë ag e terr, duke u bërë fener a flakadan, që ndriçojnë rrugë dhe që na mësojnë se si jetohet, se si mbrohet, se si luftohet dhe më në fund se si vdiset për atdhe. Nëqoftëse shtetari i madh grek Perikliu thoshte se “ fshehtësia e fatit është liria dhe fshehtësia e lirisë është guximi”, atëherë edhe për Zejnullah Zejnën fati, liria dhe guximi, sikur ishin bashkuar në një simbiozë të vetme dhe të tria përbënin një trinom bashkëjetese, që bashkëveprojnë, bashkëjetojnë dhe bashkëndjejnë duke i dhënë por edhe duke i marrë njëra- tjetrës.
Duket sikur të gjithë pushkëtarët dhe luftëtarët e lirisë së Kosovës gjatë jetës së tyre dhe më në fund edhe në momentin e tyre vendimtar ishin nisur nga mësimi i madh i historisë, që kishte ardhur edhe npërmjet ligjërimit aforistik të Xhuzepe Macinit “Atdheu mbi të gjitha”. Dhe ai atdhe , që ishte dje nën prangat e robërisë, nuk duhej të ishte edhe nesër nën po ato pranga të rënda. Përse i kishte djemtë e tij? Përse i kishte rritur dhe i kishte bërë lisa të mëdhenj? Përse i kishte mëkuar me gjirin dhe me gjakun e vet? Për ta ruajtur, për ta mbajtur, për ta shpëtuar, për ta shenjtëruar me jetën e tyre. Ndaj Zejnullah Zejna përkundër që kishte një jetë të bëshme dhe të kamur në Gjermani, e braktisi me guximin e madh qytetar dhe u nis atje, ku dikush e priste. E kush mund ta priste atë, bashkë me mijëra të tjerë? E priste nëna, por më shumë e priste liria e Kosovës, e prisnin britmat e fëmijëve që therreshin nën tehun e bajonetave serbe, e prisnin thirrjet e nënave shamizeza, e prisnin klithjet e motrave zemërplasura, e prisnin fytyrat e djegura dhe të rrudhura të baballarëve, që s’ kishin njohur asnjëherë asnjë çaste lumturie në jetë. Sepse ata ishin nën fallangat e çizmes dhe të ushtrisë serbe, të cilët nuk njohin asnjë kod, asnjë pakt as në luftë e as në paqë. I edukuar me ideale të larta lirie dhe atdhetarie, i frymëzuar nga tradita kombëtare, i mbrujtur me dashuri dhe trimëri, Zejnullah Zejna u nis në luftë sikur të shkonte në një dasmë të madhe, në dasmën ku ishin ftuar mijëra dasmorë , teksa këndonin këngën e lirisë si një himn për Kosovën: “Oj Kosovë o djep lirie”. Me këngë në gojë, me dashurinë për Kosovën dhe me zemërimin e madh kundër armikut, Zejnullah Zejna ndërroi adresën e banimit dhe nga një spektator i ekranit të televizorit, u nis ta prekë, ta ndjej dhe ta jetojë atë jetë ku maten jeta dhe vdekja, lavdia dhe heroizmi, krenaria dhe trimëria, dashuria dhe urrejtja. Nga kampi i punës dhe i paqës, ai u zhvendos në kampin e luftës me uniformën e ushtarakut, ku vdekja sfidon jetën. Gorozhupi ishte streha e tij, ishte istikami i tij, ishte jeta e tij, ishte lavdia e tij dhe më në fund ishte edhe varri i tij. Por jo vetëm kaq, Gorozhupi ishte edhe liria e tij. Dhe mu atëherë kur ajo vjen, Zejnullah Zejna ikën në amshim si një zog fluturues qiellor, duke lënë jehonën e zërit të tij, jehonën e këngës së tij, jehonën e topit të tij. Zejnullah Zejna nuk la një trashëgimtar në familjen Zejna, por Zejnullah Zejna la diçka më shumë: la emrin e Heroit të Kombit, që nuk vdes kurrë. Ky kalorës i lirisë së Kosovës është atje lart në Panteonin e Madh të Lirisë së Kombit, bashkë me mijëra të tjerë, të sërës së tij, që na lanë trashëgim një atdhe dhe të cilin ne duhet ta duam dhe ta ruajmë. 
Lavdi!

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Aksident në Ferizaj, përfshihen tri vetura – lëndohen 5 persona

Pesë persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti në mes tri veturave ne Ferizaj. Aksidenti ndodhi në rrugën...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img