19,04,2024

“Agim Ramadani – Lokomotiva çliruese – e dashurisë dhe lirisë!”

Must Read

agimramadani

Agim Ramadani shkoi përtej, lart dhe përmbi kotësisë së kësaj bote – ku frymorë të ndryshëm, krenohen nga fakti se gjallojnë e pasurohen…! Ai përqafoi fatin, që është i rezervuar ekskluzivisht, për misionarët e mëdhenj dhe fisnik të kësaj bote…! Shkrimi për Agimin është një rrëfim që do t`pasojë pas disa vitesh – një ditë, kur “t`kthjellen ujërat në Kosovë”! Rrëfimi për te, meriton të njëjtin përkushtim, nëse jo shumë më të madh, nga ai që e kishte Agim Ramadani – për atdheun e njeriun, artin e dashurinë! Çfarë është, një diçka e mrekullueshme në një poezi të Sabit Rrushemit kushtuar këtij heroi?

Shkruan: Bardhyl Metaj 

Një shi i lehtë por i pandalshëm fundvere që e dëgjoja nga dritarja e hapur, po më mbante ende në shtrat me një libër në dorë, atëherë, në vitin e largët 1993, ndërkohë që dikush po i binte ziles! Pasi hapa derën, e pash vëllaun tim Besnikun, s`bashku me një shok!
Si asnjëherë tjetër, Besniku – ndërkohë që unë dhe shoku i tij bashkuam duart e po shihnim njëri tjetrin në sy – i kushtoi shumë rëndësi prezantimit të mikut: “Agim Ramadanin e kam shok e kolegë, është piktorë e poet, ka qenë oficer me akademi të mbaruar në Zagreb, tash e kemi në Cyrih dhe pat dëshirë me t`pa e njohtë…!”

* * *

Edhe tash kur po shkruaj këto fjalë, e kam parasysh fytyrën dhe pamjen e Agimit, atë trup atleti, ato vija të qëndisura të fytyrës së pashme, gjithherë të qeshur e optimiste, si dhe atë qëndrim tjetërfare…!
Por, nuk e m`shef, para jush të dashur lexues, se e kam shumë problem, të shkruaj për Agimin!
– Dhe janë shumë arsye. Tepër shumë arsye. Dhe kjo, s`ka të bëjë me emocionet që më ngjallen nga ajo miqësi e nisur që nga momenti që përshkrova më lartë, e deri në fillimvitin e 1999-ës, kur nga fronti i luftës kishte ardh shumë shkurtas n`Zvicër, “si me marr zjarr”, si e ngacmoja atëbotë.
Nuk janë emocionet ato që m`lidhin duart e m`robnojnë e reduktojnë fjalorin tek shkruaj për te! Jo!
Jo, ngase emocioni është atomi i çdo ngjizjeje krijuese – por është një fakt krejt tjetër – ai, se aq shumë është shkruar për shumëkënd (me të drejtë), dhe është shkruar – me fjalët më superlative – pa t`drejtë! – e me fjalët më kulmore, sa që sot e kemi të vështirë, të shpalojmë mbresa e kujtime, dhe të përshkruajmë e të paraqesim përmasat reale të njerëzve, vërtet të mëdhenj.
– Aq janë inflacionuar e shpenzuar fjalët e mëdha, gjatë përshkrimeve të pa kandar që u janë bërë këto vite veprave të vogla e mesatare – sa sot, vështirë e ke të përshkruash heronj luftërash të përmasave gjigante, si ngjajnë të jenë ato të Skenderbeut, të Adem Jasharit dhe Agim Ramadanit, pa ricikluar fjalët – të cilat pa të drejtë, s`janë ruajtur ekskluzivisht – për gjigantët si këta…

* * *

Së këndejmi, unë s`do ta them asnjë fjalë në këta pak reshta për Agim Ramadanin, e që ka të bëjë me përshkrimet e konsumuara tjetërkah mbi heroizmin, ngase tek lufta e Agim Ramadanit, ajo çështje është e vetëkuptueshme, dhe është e madhërishme edhe kështu e pathënë në ese!
Për të bëmat e tij në front, sapo të lexosh shkrime profesionale nga ushtarak e gjeneralë: mbi parapërgatitjet, ushtrimet, strategjitë e saktësuara deri në detaj, punën me media dhe rrjedhojën e betejës së Koshares, atëherë bindesh fare lehtë dhe menjëherë, se ishte Agim Ramadani – ajo lokomotiva, ajo energjia e mendja më kreative e kësaj ndërmarrjeje, gjithsesi, më lapidare në luftën e Kosovës!
Ajo që dua t`ia them lexuesit të këtyre reshteve e qytetarit kosovare sot, sikur edhe brezave që vinë, është se “një ditë kur t`kthjellen ujërat” (si preferon të thotë shpesh, babai im, kur përshkruan kohën që po jetojmë sot!) – Kosova do të gjej në krijimtarinë, personalitetin, veprën e gjithanshme e figurën poliedrike të Agim Ramadanit – Heroin më të admiruar e më shembullore, të patriotizmit bashkëkohorë Europian!
Agimi, nga një rastësi jete, shkoi që të shkollohej për oficer ushtarak, dhe u bë oficer i dalluar! Nga një tragjedi kombëtare përmasash biblike të gjenocidit e egzodusit, sado që s`ishte këndej, por në Zvicër, u bë shpëtimtari, heroi e luftëtari më i paepur, e më profesionist i vendit!
Dhe – shkoi përtej, larg dhe përmbi kotësinë e kësaj bote – ku frymorë të ndryshëm, krenohen nga fakti se gjallojnë…! Agim Ramadani – përqafoi fatin, që është i rezervuar ekskluzivisht, për misionarët e mëdhenj e fisnik të kësaj bote…

* * *

Kjo Kolumne, s`është shkrimi për Agim Ramadanin, por është vetëm një letër drejtuar vëllaut tim Besnikut, sikur edhe bashkëshortes së Agimit, me të cilët po dua që kështu publikisht e bashkë me lexuesin tim, të falemi e ngushëllohemi për njeriun tonë të përbashkët, e për Heroin e veçantë të Kosovës!
Shkrimi për Agimin është një rrëfim që do t`pasojë pas disa vitesh – një ditë, kur si e thash më lartë, “t`kthjellen ujërat në Kosovë”! Rrëfimi për te, meriton të njëjtin përkushtim, nëse jo shumë më të madh, nga ai që e kishte Agim Ramadani – për atdheun e njeriun, artin e dashurinë…
Sa herë që vie përvjetorë i vdekjes së tij, e sa herë që kujtojë qindra biseda, takime e përpjekje të përbashkëta gjithandej – ma thërrmon gjithherë zemrën fakti se Agim Ramadani, para se gjithash e mbi të gjitha, ishte një njeri i jashtëzakonshëm dhe një artist i pashoq! Ishte një Europejc i pashoq! Ishte një piktorë e kuratorë i pashoq – i cili edhe ekspozitat e tij të pikturave në Cyrih, e të cilat i bënte bashkë me Shukrien, të shoqen e tij, e me Besnikun e Burbuqen (shoqen e tim vëlla), pra edhe ato, i shëndronte gjithherë në atraksione të kulturës, kulinarisë e traditës shqiptare! Ashtu, siç ka shëndruar e balsamuar me Betejën e Kosharas, një monument të pashoq historie shqiptare e të Kosovës! Nuk besoj të ketë njeri që e ka takuar, e të mos ketë ndonjë kujtim të bukur e ndonjë mbresë a “dhuratë” krejtësisht personale nga Agimi…

* * *

Ka diçka t`mrekullueshme në një poezi të Sabit Rrushemit kushtuar Agim Ramadanit. Mrekullia konsiston në klimën e asaj poezie. Pse? Ngase autori, meqë e njihte Agimin personalisht dhe e njihte shumë mirë edhe shpirtin e tij krijues, sikur arrin të hyjë në shpirtin e mendjen e Agimit, dhe t`shqiptojë vargje të pa shkruara prej vet Agim Ramadanit, por që duken krejtësisht të tij: “Gjaku do të më mbulojë me mallkime / Po s’e çlirova dashurinë time!”!
Prej nga po e nxjerr një konstatim të tillë? Ngase kështu, qind-për-qind, frymonte Agimi…, jo në aspektin e patriotizmit e flijimit, çfarë duket në shikim të parë në këto vargje, por në atë sentencën, “po se çlirova dashurinë time”!
Thjeshtë ngase Agimin tonë, i lumi Zot e kishte falë si një Lokomotivë dashurie. Krejt çfarë ka bërë në jetë, çoftë lidhja e martesa e tij me Shukrijen, e cila i bënte një çift krejt të veçantë, çoftë fëmijët e tyre, çoftë poezinë e pikturën, dhe përfundimisht, çoftë edhe luftën – të gjitha i bënte me një dashuri t`pa shoqe e vullkanike…! Gjithherë kur isha me te, kisha ndjenjën, se nëse kishte ndonjë hall ky njeri i pazakontë, atëherë, halli i tij ishte si t`a çlirojë dashurinë e tij të pa shterëshme, për gjithfarë që e rrethonte!

* * *

Kosova, nuk po e lenë pa kujtuar, pa emëruar rrugë e shkolla me emrin e tij, është nderuar edhe me urdhrin “Hero i Kosovës”, këtë vit ndërkaq, dolën edhe Pullat Postale me portretin e tij – por megjithatë, ka diçka t`pafalshme: Kosova ende se njeh Agim Ramadanin, dhe gjithë`çfarë ndërlidhet me te…!?

* * *

Kur u pamë herën e fundit në Cyrih, në fillimvitin e 1999-ës, mbasi kishte mbaruar të gjitha tubimet e takimet me bashkatdhetarë dhe po bëhej gati të shkojë përsëri në front e n`Koshare, gjatë përshëndetjes e n`përqafim më tha: “Bardh, kur po kam kohë, e mendja po m`fluturon në meditime, po m`dalin prej zemrës vargje me paskajoren n`dialektin tonë gegnisht, të cilën aq shumë e kemi shkoklue…! Po përshëndetemi me do vargje t`mijat Bardh, se e di se s`ke me i harrue”!?

* * *

Edhe sot e gjithherë, ashtu siç ngjanë me automatizëm instiktiv, që njeriu qohet në kambë sapo të dëgjojë se këndohet himni i atdheut – ashtu edhe mua, sa herë m`bie mend Agim Ramadani, me automatizëm e instiktivisht, m`del para fytyra e tij e buzëqeshur afër Besnikut, e i`a dëgjojë zërin, dhe fillojë të recitojmë bashkë me zanin e tij n`kujtesë, atë poezinë e tij: Mu shtershin sytë nëse pushoj / Lirinë tande me andrrue / mallkue qoftë gjaku im / nëse m`vrasin pa luftue”!
T`qoftë i lehtë dheu i Kosovës Agim – Ty, o engjulli (im) ynë çlirues…!
(Kolumne e botuar më 12 Prill 2011)
- Advertisement -spot_img
Të fundit

Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal nënshkruajnë Memorandum për bashkëpunim në Zhvillimin Rajonal

Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), Prof. Dr. Agron Bajraktari, dhe ministri i Ministrisë të...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img