Me rastin e hapjes zyrtare të Konsullatës së Përgjithshme të republikës së Kosovës në Düsseldorf ka marrë pjesë edhe kryetari i Ferizajt Agim Aliu.
Aliu, hapjen e Konsullatës e ka quajtur si hapje edhe të një strehe për shërbimet që do të marrin qytetarët e Republikës së Kosovës.
“Streha e re për shqiptarët e Kosovës dhe shërbimet që ata do të marrin, hapi dyert sot. Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Düsseldorf të Gjermanisë, i jep forcë më të madhe raporteve tona me shtetin simbol të punës e suksesit në ekonomi, Gjermanisë.
I nderuar që bashkë me deputetë e përfaqësues të tjerë të shtetit, të marr pjesë në nisjen e punës së saj. ” ka shkruar kryetari Aliu
Ndërsa Konsulli i përgjithshëm Arjan Kashtanjeva premtoi shërbime të shpejta dhe zgjidhje të problemeve me dokumentacionin.
Më poshtë është edhe njoftimi i Konsullatës së Përgjithshme të republikës së Kosovës në Düsseldorf
„DERA E HAPUR” „TAG DER OFFENEN TÜR“
Të dashur bashkatdhetarë,
Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Düsseldorf dhe Konsulli i Përgjithshëm Arjan Kashtanjeva kanë kënaqësinë të ftojnë bashkatdhetarët tanë së bashku me familjet dhe fëmijët e tyre, që me datën 30 Nëntor 2019 nga ora 10:00 deri në orën 16:00 të vizitojnë, shtëpinë e tyre, Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Düsseldorf.
Qytetarët do të kenë mundësi të vizitojnë objektin e Konsullatës, të njoftohen për shërbimet konsullore që ofrohen dhe rolin e Konsullatës. Gjithashtu do të keni mundësi të vizitoni Ekspozitën me pikturat e Piktorit të njohur Maestro Samedin Asllanit nga Zvicra.
Ju mirëpresim!
Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Düsseldorf
Në përurimin e hapjes ishin të pranishëm edhe ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli, kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme në Parlamentin e Kosovës Elmi Reçica, ministri i Brendshëm i Kosovës Ekrem Mustafa, ambasadori Beqë Cufaj, përfaqësues të korit diplomatik në Düsseldorf si dhe shume përfaqësues të diasporës dhe biznesit shqiptar në Gjermani.