Drogat çdo ditë po kërcënojnë shoqërinë tone e me theks të veçantë të rinjtë. Me këtë qëllim dhe për të hapur muajin e vetëdijësimit kundër narkotikëve në Ferizaj, sot u mbajt Konferenca “Nëntori – muaj i vetëdijësimit kundër substancave narkotike” organizuar nga Qendra e Këshillimit “Këshillimi”, mbështetur nga Komuna e Ferizajt.
Organizatorja e kësaj ngjarje, Arjeta Musliu e cila humbi të birin nga përdorimi i substancave narkotike, duke elaboruar punën e këtij institucioni dhe sfidat që përcjellin këtë fenomen e në veçanti familjet e të rinjtë ku hasen këto raste tha se që nga hapja, kjo Qendër ka ofruar shërbime profesionale për 150 raste, shifër kjo alarmuese për numrin në rritje të përdoruesve të narkotikëve.
“E gjendur në një ambient patriarkal dhe një nënë e një viktime që u përball me këtë dukuri negative vendosa të hap qendrën këshilluese për të gjithë përdoruesit dhe e pash që qendra ishte më se e nevojshme, për 3 muaj prej se jemi themeluar kemi ofruar ndihmë në 150 raste që kanë kërkuar ndihmë vullnetarisht, nuk është për tu krenuar por është për tu krenuar puna vullnetare që po bëhet në qendër ku të gjitha shërbimet janë falas” tha Musliu.
I pranishëm në këtë ngjarje të veçantë të rrallë të këtij lloji e përmase në qytetin tonë, ishte edhe i pari i Ferizajt, Agim Aliu. Ai tha se Ferizaj, ndonëse me kufizime në infrastrukturën sociale, ka vullnetin e plotë institucional për të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme në luftimin e këtij fenomeni.
“Marr shkas për të çel fjalën time, nga një motiv fare i thjeshtë e i dukshëm. Njerëzor e mbi të gjitha solidar. Është amësia. Është vuajtja e kthyer në motiv e motivi i shndërruar në mision. Ky shembull e model, për tu ndjekur natyrisht, ballëlartë na bënë të gjithë, si prindër, si njerëz, si shoqëri, si shtet, që kudo e kurdo, të sfidojmë veset e modernes, jetën të shkuar dëm të të rinjve në varësi nga narkotikët dhe rilindjen e shpresës për kurimin e rehabilitimin aq të nevojshëm shoqëror. Këtë mision ka edhe Qendra që jam krenar që kam mbështetur. Këshillimorja që strehon historitë më të trishta të të rinjve, momentet më të liga e pafuqinë më të madhe të tyre, për ta kthyer drejt normalitetit e shërimit, rehabilitimit e rilindjes së shpirtit e mendjes përmes kurës e të ngrohtave fjalë që nxjerr zëri i një nëne, shërbimi i profesionistëve e vullneti i bartësve të kësaj kauze, që mbështetjen nuk e kursejnë për asnjë çast. Tash e dy vite më parë, trajtova këtë problematikë me ekspertët e ekipit tim elektoral. Mora një copëz letre dhe rendita gjithë çfarë dija, shihja e vlerësoja për këtë fenomen, prezent në mesin e njomakëve. Analizova dhe përgatita projektin politik të mbrojtjes së familjes dhe sigurisë. Është ky i vetmi e ndër të rrallët projekt politik, për fat të keq i domosdoshëm për t’u hartuar, që synon të godas që në palcë këtë “vdekje në pazar” ku shumëkush nga të rinjtë tregtojnë. Fijet e së keqes lëshuar rrënjësh prej vitesh, kanë filluar të priten. Është ende herët të marrim rezultatet e para, porse është optimiste qasja e përfundimet që nxjerrin këto masa. Është e çmueshme lartë dhe për të marr vlerësimet maksimale solidariteti e pasioni që Ju, profesionistë e bashkëmendimtarë të kësaj kauze, që ndani orët e dijet tuaja profesionale, që sadopak, kudo e kurdo, të iluminohet nyja nevralgjike e trupit të shoqërisë sonë – të rinjtë. Drogat janë kërcënimi ynë! Shteti ka detyrën të jetë në krye të kësaj lufte. Ajo nuk është as diagnozë, as lojë fjalësh, as lemeri në kthinat e spitaleve e mantelbardhëve, por dhembje që pllakos gjithë shpirtin, plagë që kullon në çdo pore të shoqërisë e për të cilën, lypset që pa kursyim, me profesionistë e vullnetmirë, ta vëmë në binarët e eliminimit, këtë farë të keqe që mbin vdekje e fatkeqësi, pikëllim e pafuqi. Unë jam luftëtar bashkë me ju! Çdo armë në duart e mia është edhe e juaja, kundrejt narkotikëve që helmojnë fëmijët tanë” tha ndër të tjera kryetari Aliu.
E pjesë e panelit ishte edhe eksperti i psikoterapisë, Migjen Amzai, vullnetarë i kësaj Qendre që ndau përvojat e tija dhe sukseset që ka shënuar kjo qendër për pak muaj.
“Qendra nuk është vetëm e Ferizajt aty vijnë nga të gjitha zonat si Maqedonia, Shqipëria, Presheva dhe ju them se është shumë e vështirë të punosh me pacient pa dijagnozë por është depresioni, ankthi që e përjetojnë përdoruesit, fatmirësisht deri tani nuk kemi përdorues të heroinës më shumë kemi përdorues të marihuanës, ndërsa sa i përket çështjes se kush i shtyen të rinjët drejt përdorimit të drogave është frustrimi që ata marrin nga mediat dhe rrjetet sociale ku ekspozohet lluksi i tepërt nga të rinjët nëpër botë, element tjetër është lënia pas dore e të rinjëve nga prindërti, siç është qëndrimi i gjatë në telefon mbi 4 orë dhe lënia pas dore e fëmiut” tha Amzai.
Diskutimi në këtë konferencë vijoi me kontributin e profesionistëve të fushës, kryesisht asaj shëndetësore, të cilët dhanë vlerësimet e tyre profesionale dhe hapat e mundshëm që duhet të ndërmerren me qëllim, zvogëlimin e prezencës së këtij fenomeni në mesin tonë.