30,04,2024

Agim Aliu dhe drejtuesit fetar në Ferizaj vizitojnë hapësirën e re të varrezave

Must Read

Liderë lokal dhe krerë të komuniteteve fetare, vizituan hapësirën dhjetëra hektarëshe në Fshatin e Vjetër ku do të vendosen Varrezat e Reja të Qytetit.

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu shoqëruar edhe nga kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Kristina Gashi Bytyçi, drejtorë të drejtorive komunale dhe i gjithë kleri fetar në Ferizaj dhanë vlerësimet më të mëdha për këtë projekt, tejet të rëndësishëm për qytetarët dhe historik në pikëpamje të kohështrirjes që do të këtë ky projekt.

Ata të mbledhur së bashku rreth këtij projekti, dhanë sugjerimet, morën idetë dhe panë nga afër hapësirën ku do të vendosen varrezat e reja të qytetit.

Në një luginë të gjerë, kreu komunal ka planifikuar të vendos të gjitha varrezat e komuniteteve fetare në Ferizaj, natyrisht të ndara në parcela të veçanta.

Kleri fetar mori shpjegimet e nevojshme sipas projektit nga vet Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu i cili bashkë me arkitektë dhe drejtorë komunal sqaruan detajet e këtij projekti që parasheh ndarjen në blloqe, ndërtimin e objekteve të kulteve fetare, parkingjeve të varrezave dhe hapësirën prej mbi 30,000 vendvarresh, zgjidhje kjo për dhjetëra vite për Ferizajn.

I pari i Ferizajt, Agim Aliu tha se edhe ky projekt i nisur qysh herët, në vitin 2013 po merr rrugën e realizimit, dëshmi se kjo qeverisje zgjidh problemet e trashëguara duke i shërbyer qytetarëve dhe nevojave që ata kanë. Ai tha se varrezat e reja do të jenë model për t’u ndjekur i rregullimit infrastrukturor dhe park ku dinjitetshëm do të pushojnë përgjithmonë më të dashurit tanë.

“Jam këtu së bashku me krerët e komuniteteve fetare në Ferizaj dhe i falënderoj që janë sot këtu, bashkë. Në fakt gjatë gjithë kësaj kohe, kemi qenë bashkë për të promovuar dhe bashkëbiseduar sesi do të duket një projekt i tillë sepse është i një rëndësie të veçantë për gjithë qytetin dhe gjithë komunitetet fetare që janë në qytetin e Ferizajt. Është një projekt që ka zgjatur një kohë, por qeverisja jonë është qeveri e zgjidhjeve të problemeve pavarësisht kompleksitetit që mund të kenë problemet e caktuara në Ferizaj. Është stërzgjatur, madje dua të përmend faktin që ky projekt ishte nisur qysh në vitin 2013 dhe për arsye të ndryshme u zgjat dhe pastaj mori një drejtim jo të duhur me ngritje të çështjeve në drejtimin jo të duhur por tashmë ato i takojnë së kaluarës dhe po besoj se janë të lumtur secili nga qytetarët dhe secili nga ne që më në fund po i vëmë pikën një projekti që më vonë u bë edhe urgjencë, emergjencë dhe tashmë jemi pikërisht në lokacionin që së bashku me drejtorët, arkitektët, përcaktuam edhe vijat, është duke u punuar në finalizim që duke parë pikërisht këtë urgjencë, të fillohet sa më parë që të realizohet ky projekt. Sigurisht se është një projekt i gjerë i cili më shumë se vendvarreza që i kemi parë anekënd territorit të Komunës së Ferizajt do të jetë një park, sepse kjo tregon për kulturën e re që dëshirojmë ne të sjellim përmes këtij projekti. Kulturë që tregon respekt për të vdekurit, kulturë që tregon respekt edhe për gjithë paraardhësit që do të jenë të dikujt dhe mendoj se është një fillim i ri në këtë perspektivë, ku ne do të kujdesemi së bashku me komunitetet fetare dhe ekipet që kemi së bashku që e gjithë mbarëvajtja e këtij projekti të jetë në këtë harmoni që vërtet të jetë një park i bukur ku familjarët kur të vijnë, të vizitojnë të afërmit e tyre dhe të vendosin lule mbi varret e tyre, vërtet të kenë një vend ku të shohin se prehen të qetë familjarët e tyre. Unë edhe njëherë falënderoj komunitetet fetare të Ferizajt që si gjithmonë kemi dëshmuar që jemi bashkë edhe në projekte të tilla, siç kemi qenë bashkë edhe në projekte tjera. Ky është një projekt që sigurisht se ka edhe një emocion tjetër, sepse është më i ndryshëm se projektet tjera por unë besoj se që më në fund jemi këtu për një kohë shumë të shkurtër për të filluar edhe implementimin e këtij projekti, ndoshta qysh prej javës së ardhshme ne mund të fillojmë,sepse siç e patë tashmë është në implementim dhe ajo që dua të them është se projekti në përgjithësi është dorëzuar në Ministrinë e Pushtetit Lokal sepse është një projekt që ka kosto të lartë të financimit dhe besojmë se Ministria e Pushtetit Lokal, projektin e dorëzuar do ta miratoj dhe pastaj mbi bazën e blloqeve dhe mbi bazën e projektit do të zbatohet dhe do të implementohet” tha i pari i Ferizajt, Agim Aliu.

Edhe Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Ferizaj, Bujar Hasani foli në superlativ për rëndësinë e këtij projekti dhe bashkëveprimin që do të bëj kleri fetar me institucionet komunale në realizimin e këtij projekti.

“Fillimisht falënderoj Kryetarin e Komunës dhe përfaqësuesit e komuniteteve fetare duke shpresuar që bashkërisht ne si komunitete fetare dhe bashkë me udhëheqësit komunal, veçanërisht Kryetarin e Komunës do ta realizojmë këtë projekt siç është inicuar nga kreu komunal dhe Kuvendi i Komunës së Ferizajt. Kam bindjen që ne do t’ia arrijmë qëllimet tona të përbashkëta, në mënyrë që gjithnjë të shënojmë atë që është më e mira e përbashkëta, pa dallim besimin që kemi edhe institucioni komunal do të thotë kreu i Komunës së qytetit tonë ka insistuar që të ndajë sipas besimeve që kemi ne, të ndajë parcela të veçanta në bazë të riteve fetare që kemi dhe kjo dëshmon më së miri se ne si përfaqësues të komuniteteve fetare të shohim atë që gjithmonë jemi bashkë dhe gjithmonë insistojmë që t’i kryejmë ato që na obligon feja ndërsa në atë që obligohemi ndaj shtetit, patjetër që se do ta kryejmë bashkë dhe obligimet që na përkasin do t’i kryejmë ashtu siç urdhërohemi” tha Bujar Hasani, Kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame në Ferizaj.

Të rëndësisë së veçantë këtë projekt e vlerësuan edhe drejtuesit e Kishës Katolike në Ferizaj. Don Viktor Sopi tha se është një projekt tejet i qëlluar dhe i nevojshëm për të gjitha komunitetet fetare, ku përfundimisht gjenerata e gjenerata do të pushojnë në këto hapësira, dinjitetshëm.

“Projekti është shumë me rëndësi të veçantë. Një shprehje e vjetër thotë nëse nuk e njeh një popull shko vizitoja varrezat. Aty do të mësosh për historinë e tij, kulturën e tij, fenë e tij dhe dëshminë e tij prandaj ky projekt besoj se do ta çoj në vend dëshirën e shumë e shumë gjeneratave, të parëve tanë, martirë, dëshmorë në periudha të ndryshme e t’i jepet rëndësi mendoj së është shumë e qëlluar këtij projekti ku do të pushojnë me gjenerata të tëra në këto hapësira kaq të bukura. Unë mendoj se populli shqiptar do të mund ta bëntë një kontratë që kur nuk jam unë ta kryej hoxha varrimin apo kur nuk është hoxha ta kryej unë sepse ajo është një lutje e përbashkët, o Zot pranoje këtë shpirt, pranoje këtë njeri në banesat e tua dhe ne besojmë se besimtarit jeta nuk i merret por i shndërrohet. Prandaj, projekti është i qëlluar dhe unë përgëzoj tërë ata që kanë inicuar, angazhuar që të vie kjo ditë që të inaugurohet ky projekt” tha Don Viktor Sopi nga Kisha Katolike e Ferizajt.

Përfaqësuesi i Kishës Ortodokse Serbe në Ferizaj, Trajko Vlajkoviq tha se edhepse përfaqëson një numër të vogël besimtarësh ortodoks në Ferizaj, falënderon Kryetarin e Komunës që në këtë projekt të llogarisë edhe këtë komunitet.

“Së pari desha të shpreh falënderimin për këtë projekt, falënderimin së pari për qytetin e Ferizajt i cili për shumëkënd është i njohur për fenomenin e Kishës dhe Xhamisë në një oborr, kemi edhe fenomenin e Bifurkacionit, unikat për këtë qytet. Përveç kësaj do ta kemi edhe këtë vend të varrezave që do t’i ndajmë me vëllezërit dhe motrat e besimeve tjera. Kjo është për falënderim dhe që njerëzit të dëgjojnë për këtë qytet. Dua ta falënderoj edhe Kryetarin e Komunës i cili siç dihet bashkësia e jonë nuk numëron edhe shumë anëtarë por e falenderojmë që ka llogaritur edhe për ne me këtë projekt” tha Trajko Vlajkoviq, përfaqësues i Kishës Ortodokse Serbe në Ferizaj.

Nazmi Berisha nga komuniteti protestant tha se për komunitetin që përfaqëson mungesa e një lokacioni të posaçëm të varrezave ka qenë një sfidë e vazhdueshmë andaj duke e falënderuar të parin e Ferizajt, Agim Aliu ai tha se Ferizaj tashmë mund të merret si model në këtë pikëpamje në gjithë Kosovën.

“Edhe ne i jemi falënderues ekzekutivit komunal për këtë punë kaq të madhe që ka bërë për komunitetet fetare këtu në Ferizaj dhe e shohim si një shembull shumë i mirë për gjithë Kosovën duke i vendosur gjithë komunitetet fetare në një vend me parcela të ndara por në një lokacion të caktuar. Mendoj se ky është një shembull shumë i mirë dhe uroj që të përfundohet sa më shpejt sepse sidomos për komunitetin tonë protestant kjo ka qenë një sfidë e vazhdueshme dhe e përgëzojmë kryetarin për punën dhe lutemi që Zoti ta bekoj këtë vend edhe më shumë” tha Nazmi Berisha, përfaqësues i komunitetit protestant.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Bëri debutimin në Superligë me fanellën e Prishtinës, Donart Llabjani: Përgjegjësi e madhe të luash për klubin më të trofeshëm kosovar

Skuadra e Prishtinës u mposht në javën e 31-të në Superligën e Kosovës, por për talentin Donart Llabjani ishte...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img