24,12,2024

A kishim nevojë për shtratin e Prokrustit?

Must Read

Zyrafete Ramadani-Shala

-Nuk kalon ditë që të mos na rastisë të lexojmë në shtyp e portale shkrime që shfaqen si shpërthim i mllefit të grumbulluar dhe si reagim ndaj frustrimeve të përditshme me të cilat po përballemi, shkrime nga profile të ndryshme të qytetarëve që secili e shpërfaq realitetin nga këndvështrimi prej të cilit e percepton. Realiteti zhgënjyes është e përbashkëta e këtyre këndvështrimeve, është strumbullari rreth të cilit të gjithë po i mbështesim pakënaqësitë tona.  Athua shkrimi është rruga e vetme e reagimit që na ka ngelur në këto kohë krizash të thella morale apo e kemi përzgjedhur si mënyrë më të lehtë dhe indirekte për t’u dalë përballë deformimeve dhe çoroditjeve që na atakojnë nga të gjitha anët?! Cilado që të jetë e vërteta nuk ka rëndësi, e rëndësishme është që mos heshtim, sepse: Vendet më të errëta në ferr, janë të rezervuara për njerëzit që e ruajnë asnjanësinë në kohë krizash të thella morale – thotë Dante në Komedinë Hyjnore. E unë mendoj që skëterrësia e këtyre vendeve në ferr shkon e rritet edhe më tej, kur asnjanësia është e motivuar nga qëllime të ulëta, nga ato që ndeshim gjithandej nëpër trevat shqiptare, si ruajtja e privilegjeve personale, sado të vogla qofshin ato, apo përfitimi i ndonjë kocke që u ka shpëtuar gllabëruesve të pasurisë së popullit dhe njollosësve të kulturës së lashtë të tij.

Ne shkruajmë, kush më shumë e kush më pak, sepse në këtë mënyrë synojmë që të hedhim jashtë atë dozë helmi që e marrim çdo ditë, synojmë të bëjmë katarzë, që duke e flakur të keqen jashtë të mos bëhemi edhe ne pjesë e saj. Dikush mund të mendojë se edhe kjo mënyrë e reagimit u ndërtuaka mbi bazën e egoizmit dhe si e tillë nuk duhet të mbivlerësohet, por nuk duhet harruar asnjëherë se shkrimi, edhe nëse shfaqet si rrjedhojë e konflikteve për ruajtjen e egos, prapë se prapë është egoizmi më konstruktiv që mund të njohim. E se sa kohë do të na funksionojë ky mekanizëm mbrojtës, nuk mund ta dimë, sepse çdo ditë e më shumë po shfaqen tendenca, qoftë të fshehura apo të hapura, për të penguar shprehjen e mendimit të lirë. Është tmerrues fakti që mekanizma të tërë të strukturave qeverisëse angazhohen në frikësimin me ndëshkim të atyre që guxojnë të bëjnë një ‘like’ shkrimeve “armiqësore”.

Doemos, në rrethana të tilla s’ke si të mos i kujtosh periudhat më të errëta të shtypjes së mendimit të lirë në historinë e njerëzimit, që nga gjuetia e shtrigave, pastaj ngulfatja e të shprehurit te shkrimtarët rus pas Revolucionit të Tetorit që shpesh përfundonte me vetëvrasje të tyre, e deri te përvojat e etapave më të fundit të historisë së popullit tonë në të dy anët e kufirit. Për punonjësit e institucioneve publike është e pashmangshme vënia e paraleleve mes atmosferës kadareane te Pallati i Ëndrrave, apo tmerreve të përndjekjes nga personazhi Valmir D… në romanet e Kongolit, psikoza e përgjimit të jetës personale te romani 1984- i Orwellit e shumë vepra të tjera ku njeriut i kërkohet që jeta e tij të jetë në funksion të përmbushjes së komplekseve të njerëzve të vegjël që rastësisht rrethanat ua mundësuan të duken “të mëdhenj”.

Nga tërë bëmat e strukturave qeverisëse gjatë viteve të fundit, dëshmitarë të të cilave ishim, mund të thuhet se një nga kryeveprat e tyre është mjeshtëria e përdorimit të shtratit të Prokrustit, si një instrument që po vazhdon të përdoret për të bërë diferencimin e intelektualëve, përmasat e të cilëve nuk përkojnë me ato që janë paradhënë për të qenë një intelektual i përshtatshëm për bashkëpunim me njerëzit e fuqishëm që udhëheqin me strukturat e shtetit. Shtratit të Prokrustit nuk i përshtaten intelektualët e kalibrit të lartë, të cilët për të qenë të pranueshëm duhet të heqin dorë nga shumë parime të tyre morale, ndërkohë që në këtë shtrat zënë vend intelektualët e vegjël, sepse atyre mund t’u shtohet gjatësia që u mungon, s’ka rëndësi se me shtojca të tilla marrin një dukje tragjikomike që bie ndesh me natyrën njerëzore (përfitimet e tyre do të jenë të kënaqshme pavarësisht se në çka ngjasojnë) dhe së fundi intelektualët ideal për shtratin e Prokrustit mbeten mediokritetet që zënë vendin kryesor në faqet e errëta të historisë së njerëzimit, e pak më tepër në historinë e popullit tonë që rrezikon të kthehet në një parajsë të tyre…  Se a kishim nevojë ne si popull, me një historie të gjatë të dhimbjes,  për një instrument të tillë, nuk e çanë kokën askush, sepse ata që e konsiderojnë këtë si shpikje janë të kufizuar të merren me çështje që i tejkalojnë interesat vetjake, ndërsa atyre që vërtet brengosen dhe kanë kapacitet të vlerësojnë dëmin që na sjellë rruga që kemi nisur, u janë marrë të gjitha mundësitë.

Nuk mendoj se ka mbetur vend për një mesazh përmbyllës… të gjitha janë thënë, të gjitha i dimë, por çdo ditë e më shumë po na ngushtohet hapësira e veprimit, prandaj ky është vetëm edhe një shkrim në vazhdën e shumë të tjerëve, autorët e të cilëve nuk duan t’u përshtaten përmasave të shtratit të Prokrustit.

Ferizaj, 1.4.2016

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Shkaktoi 19 aksidente të qëllimshme për të përfituar nga sigurimi i veturave, arrestohet 23 vjeçari në Ferizaj

Një person i moshës 23 vjeçare është arrestuar pasi me qëllim të përfitimit material ka keqpërdorur sigurimet e veturave. Kjo...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img