Ngritja e temperaturave ditëve të fundit ka bërë që menaxhmenti i QKMF-së në Ferizaj të mobilizohet për tu dalë në ndihmë qytetarëve edhe në fshatrat të cilat nuk ka qendra të mjekësisë familjare.
Këtë sot e ka bërë të ditur Ibadete Bucaliu-Ismajli, ushtruese e detyrës së Drejtorit të QKMF-së në Ferizaj.
Bucaliu ka thënë se që nga dita e nesërme ekipe mobile të krijuara nga QKMF në Ferizaj do të jenë prezentë nëpër fshatra të cilat nuk kanë ambulanca të mjekësisë familjarë në mënyrë që pos kontrollimeve dhe matjeve të parametrave të përgjithshëm do të jenë më afër pacientëve të cilët mund të kenë nevojë në këto temperatura të larta.
“Edhe pse QKMF ofron shërbime të rregullta në teren bazuar në ngritjen e temperaturave këtyre ditëve kemi formuar tri ekipe mobile nëpër vendbanime rurale të komunës. Këtë e kemi bërë duke u bazuar në faktin se jo të gjitha fshatrat kanë një qasje të barabartë andaj kemi organizuar këto ekipe me staf profesional për të gjithë ata që kanë nevojë për shërbime mjekësore. Kjo do të jetë në shërbim për të gjithë ata që kanë nevojë për shërbime shëndetësore. Me këtë rast do të kryhen vizita dhe shërbime në lidhje me matjen e glikemisë,tensionit arterial,temperaturës ,këshilla të nevojshme shëndetësor” tha Bucaliu
Bucaliu tha se këto ekipe që nga dita e nesërme do të jenë në teren nëpër fshatrat që nuk kanë AMF duke filluar me fshatrat Zllatar,Tërrne Bablak, pjesë të fshatrave Greme dhe Gaçkë dhe kështu me radhë varësisht nga kërkesat dhe nevojat.
U bë e ditur që këto ekipe nuk do të cenojnë shërbimet në qendrat mjekësore në qytet por do të jenë ndihmë e mirëseardhur për pjesët e pambuluara me AMF dhe kjo do të zgjasë deri sa të ketë nevojë e sidomos deri sa temperaturat do të jenë të larta.
Kontakti për vendndodhjen e këtyre ekipeve mobile do të jenë kryetarët e fshatrave përkatëse të cilët edhe do të jenë ata të cilët do të konsultohen për pjesët e fshatit të cilat kanë nevojë për shërbime.