Lagjja Shabani në fshatin Gaçkë së shpejti do t’i gëzohet asfaltimit të rrugës kryesore të kësaj ane e cila deri më tani ka qenë në gjendje shumë të vështirë. Po ashtu edhe një rrugë e re gjysmë kilometërshë në fshatin Bibaj së shpejti do të bëhet me asfalt dhe me trotuare standarde investime , këto që po kryhen nga buxheti i komunës së Ferizajt në vlerë gati 100 mijë euro në të dyja projektet.
Kryetari i komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa i cili pa sot nga afër punimet në këto dy projekte pohon se në këtë mënyrë po kompletohet infrastruktura e nevojshme edhe në shumë lokalitete periferike.
“Janë projekte tepër të rëndësishme në kuadër të 96 projekteve që do të realizohen në kuadër të projekteve të komunës dhe të granteve që ka përfituar komuna e Ferizajt. Në buxhetin e vitit 2016 një numër i tyre janë projekte dy dhe tri vjeçare që në një mënyrë po e rrumbullakojmë asfaltimin e rrugëve në pjesët periferike të qytetit dhe të fshatrave për t’ju kthyer më vonë edhe investimeve në qendër të qytetit që lidhen me fazën e dytë të qendrës që nënkuptoi investime ku fillojnë nga furra e Mikelit deri te komuna si dhe pjesa tjetër nga kompleksi i objekteve fetare në drejtim të shkollës ekonomike deri tek rrethrrotullimi kryesor i qytetit”, ka thënë kryetari Svarqa.
Ndërkaq banorë të lokaliteteve ku po asfaltohen këto rrugë u shprehën të kënaqur me kujdesin që po tregon pushteti lokal ndaj nevojave të tyre. Thanë se e kishin shumë të vështirë qarkullimin deri më tani pa kushte elementare.
Për dallim nga projektet e realizuara vite më parë ku duhej edhe participimi i banorëve në projekte të ndryshme infrastrukturore në tri vitet e fundit nuk ka pasur participime . Kjo mënyrë e re sipas udhëheqësve të pushtetit lokal ka mundësuar se qytetarët ta kenë më të lehtë mbushjen e arkës së komunës duke kryer obligimet e tjera tatimore të cilat po u kthehen me projekte të ndryshme atyre për të cilat kanë më së shumti nevojë. U bë e ditur se vlera e këtyre dy projekteve arrin deri në 100 mijë euro.