Pak minuta para kohës së paraparë për nisje nga Ferizaj për në protestat në Prishtinë sheshi I Ferizajt ishte mbushur më anëtarë ,simpatizant të AAK-së dhe qytetarë të cilët rreth orës 12:00 janë nisur për në Prishtinë.
Edhe pse për këto protesta në Ferizaj kishte punuar dega e AAK-së,pas ndarjes së opozitës nga Opozita e bashkuar dhe “shuarjes” së degës së NISMA-s,në sheshin e qytetit u panë më shumë qytetarë se kur të gjitha këto subjekte ishin të bashkuara.
“Dega e AAK-së në Ferizaj ka mbajtur takime të shumta, është organizuar. Ka ftuar jo vetëm Aleancën por të gjithë qytetarët që janë të vullnetit të mirë për të mbrojtur interesat e shtetit që në mënyrë sa më masovike të marrin pjesë në protestën që zhvillohet sot në Prishtinë. Organizimi është bërë me autobusë dhe makina”, tha kryetari i AAK-së në Ferizaj, Xhavit Zariqi.
Zariqi tha se jemi kundër dy marrëveshjeve të dëmshme të nënshkruara nga qeveria aktuale dhe kundër kësaj qeverisje. Protesta është edhe për mbrojtjen e interesave të qytetarëve, është për krijimin e vendeve të reja punës dhe është për integrime evropiane. Prandaj ka shumë arsye për të protestuar, kundër marrëveshjes së Asociacionit të komunave serbe, kundër Demarkacionit, kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe kundër shumë gjërave negative që janë në Kosovë dhe në shoqërinë kosovare.
Sipas Zariqit, nga Ferizaj në këtë protestë pritet të marrin pjesë rreth 2 mijë qytetarë.
Protesta në Prishtinë është paralajmëruar paqësore dhe do të zgjatë rreth 40 minuta. Fjalime do të mbajnë liderët e partive, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj, Jakup Krasniqi dhe Pal Lekaj.