24,11,2024

Shënohet 135-vjetori i Betejës së Shtimes, Koshares e Slivovës

Must Read

Me rastin e 135-vjetori i Betejës së forcave të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në Koshare, Slivovë dhe në Shtime, kundër forcave të Perandorisë Osmane të Dervish Pashës, mbrëmë në Shtëpisë e Kulturës, në Shtime u shfaq premiera e filmit dokumentar kushtuar Sefë Kosharës.
Naim Ismajli, kryetar i komunës së Shtimes tha se sot në 135 vjetorin e përkujtimit të Betejës së Koshares, Slivovës dhe Shtimes, autori Ahmet Qeriqi duke spikatë historinë tonë dhe duke hedhë dritë në historinë e popullit shqiptar edhe përmes këtij dokumentari solli para nesh dokumente, të cilat dokumentojnë një periudhë të lavdishme historike. ”Figurat historike siç janë Sefë Kosharja dhe Mic Sokoli janë shumë të rëndësishme, të cilat e begatojnë historinë tonë, meritojnë një trajtim të tillë si në këtë dokumentar. Historia e popullit shqiptar është shumë e lashtë dhe shumë e bujshme. Besoj se të gjithë dakordohemi se nuk është hedhë dritë e mjaftueshme në historinë tonë. Ndoshta këtë e ka bërë mungesa e shtetit të Republikës së Kosovës, të mos kemi mjaftueshëm dritë studimore historike dhe rasti konkret i autorit tregon fuqinë dhe vlerën e individit që me një përkushtim dhe punë ka mundësi që të hedhet dritë më shumë në historinë tonë”, tha kryetari Ismajli.
Në emër të familjes së Sefë Koshares të pranishmit i përshëndeti Afrim Sefë Ilazi, i cili tha se ndihet krenar që në këtë përvjetor patrioti nderohet me një dokumentar. Ai tha se njerëzit e mëdhenj kalojnë kufijtë familjarë dhe gjithmonë rreshtohen në zemrën dhe shpirtin e kombit, me të cilët kultivohet dhe ruhet historia kombëtare në përgjithësi. Legjenda dhe miti Sefë Kosharja është dhe mbetet thesar i çmuar i historisë sonë të lavdishme kombëtare. Një popull që nderon heronjtë dhe dëshmorët e ka trasimin e rrugës së sigurtë të ardhmërisë”, spikati Ilazi.
Para se të shfaqej dokumentari kushtuar atdhetarit Sefë Kosharja, një fjalë tematike mbajti edhe autori i këtij dokumentari z. Ahmet Qeriqi i cili tha: “135 vjet kanë kaluar nga dita kur mijëra forca perandorake ishin nisur nga Stambolli me qëllim për ta shkatërruar dhe për ta shpërbërë Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, të qershorit të vitit 1878, që ishte bërë pengesë për zbatimin e traktateve të Fuqive të Mëdha të Evropës dhe vetë Perandorisë, e cila për ta ruajtur Stambollin dhe trojet e veta të rrezikuara nga Rusia e shtetet sllave, tregtonte me tokat shqiptare të Ulqinit, Plavës, Gucisë, Toplicës, Sanxhakut, Çamërisë…. 135 vjet kanë kaluar nga koha kur 4.000 kryengritës shqiptarë në krye me Sylejman Vokshin, Sefë Kosharen, Mic Sokolin, Smajl Hysenin, Ali Ibrën, Binak Aliun dhe burra më gjoks çeliku, iu kishin vënë përballë një ushtrie të rregullt, të një perandorie të madhe të botës, të përbërë me dhjetëra batalione, mijëra forca rezervë të zbarkuara në Shkup dhe në Ferizaj, të pajisura me armatimin më modern të kohës. Nuk do të flas për zhvillimet konkrete historike të 20 dhe 21 prillit të vitit 1881, meqë për këto ngjarje u fol dhe do të flitet me dhënat e prezantuara në filmin dokumentar, por shfrytëzoj rastin për t’iu njoftuar me disa segmente të realizimit të filmit për Sefë Mahmut Kosharen, të cilin do të keni rast ta shikoni në fund të këtij aktiviteti përkujtimor me karakter historic nga e kaluara e lavdishme e kombit tonë.
Ideja për një film dokumentar, për një novelë apo roman historik, që lidhet me këtë pjesë të historisë sonë ka qenë e kahershme dhe në këtë drejtim nuk kam ndenjur duarkryq. Mungesa e dokumenteve relevante historike për Sefë Kosharen kishte bërë që ky personalitet meritor i kombit jo vetëm të lihet në harresë, por edhe të kontestohet pa të drejtë. Megjithatë, duke u mbështetur fillimisht në mbamendjen e popullit, në ato katër vargjet, që i dinë përmendsh të gjithë shqiptarët liridashës dhe që u bënë program e mesazh i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kisha besim të patundur se jeta e Sefë Koshares mbartte dimensionin relevant historik, por që ishte anashkaluar në mungesë të studimeve serioze dhe këmbëngulëse.
Ishte fat i madh, kur nga stërnipërit e Sefë Koshares, mësova se familja dispononte katër faqe dokumente në gjuhën gjermane, që kishin të bënin me Sefë Kosharen dhe betejat e njohura të para 135 viteve. Dokumentet, pa vonuar ia kisha dorëzuar drejtorit të Institutit të Historisë, dr. Sabit Sylës. Ai kishte autorizuar studiuesin e shkrimeve të vjetra gjermane, Selver Islamajn, i cili e ka përkthyer dokumentet nga ku janë radhitur faktet kryesore për realizimin e filmit dokumentar.
Përveç dokumenteve historike, në këtë film jam shërbyer edhe me të dhëna gojore, të përcjella brez pas brezi nga familjarët, të dhëna të cilat në disa raste janë edhe kontradiktore, mund të jenë edhe të interpretuar lirshëm, por janë dëshmi të domosdoshme gojore. Jam shërbyer edhe këngët historike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, për Sefë Kosharen e trima të tjerë të kohës. Këto tri segmente, dokumentet, burimet gojore dhe këngët popullore I kam inkorporuar në këtë film, i cili është realizuar në mënyrë vullnetare, si borxh i vogël për një mjeri të madh të historisë, borxh të cilin shkenca e historisë shqiptare ende nuk ia ka kthyer Sefë Koshares dhe betejave të lavdishme të 20 dhe 21 prillit të vitit 1881. Falënderoj të gjithë ata që kanë pranuar të bashkëpunojnë dhe secili prej tyre ka dhënë kontributin e vet në ndriçimin e figurës së Sefë Mahmut Koshares, personalitet që kishte zhvilluar negociata me vetë komandantin e luftës, Dervish Pasha, i cili pasi nuk kishte arritur ta bindte të tërhiqej nga ballafaqimi me tytat e armëve, më vonë kishte urdhëruar ta varnin në litar, duke e lënë të varur për disa ditë me qëllim të ndëshkimit më të ashpër fizik dhe me qëllim për të ngjallur frikë e panik në mesin e shqiptarëve liridashës”, tha profesori Ahmet Qeriqi.
Shënimi i kësaj beteje të lavdishme historike u bë me organizim të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, ku u përkujtuan: Sefë Kosharja, Mic Sokoli dhe trimat e tjerë të Betejës.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Arrestohen tre persona në Ferizaj, njëri për vjedhje dhe dy për pengim në detyrë të zyrtarëve policor

Më datën 21.11.2024 rrth orës 19:00 kemi pranuar informatën se në rrugën ‘’Dëshmorët e Kombit’’ në Ferizaj, në dy...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img