Studentët dhe profesorët e Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) kanë zhvilluar sot një sërë aktivitetesh në oborrin e Universitetit, duke filluar nga mbjellja e fidanëve dhe aktivitete të tjera, të cilat kanë të bëjnë me drejtimet për të cilat studiojnë studentët.
Me këtë rast, janë mbjellë rreth 80 fidane në oborrin e Universitetit, ndërsa studentët e Hotelerisë dhe Turizmit kanë përgatitur ushqime të ndryshme për pjesëmarrësit, duke demonstruar kështu shkathtësitë e tyre të profesionit. Po ashtu, studentët e Arkitekturës së Interierit dhe Dizajnit të Mobilieve kanë ekspozuar punimet e veta nga druri.
Në këtë aktivitet ka marrë pjesë edhe rektori i UShAF, z. Agron Bajraktari, i cili ka mbjellë fidane bashkë më studentët. Ai tha se përveç gjelbërimit të hapësirës së Universitetit, aktivitete të tilla janë të nevojshme, sepse ndihmojnë në rritjen e shkathtësive të studentëve.
“Në aktivitete si ky i sotmi, studentëve iu jepet mundësia që të kujdesen për hapësirën ku e kalojnë një pjesë të ditës, të zhvillojnë shkathtësi të punës në grup dhe po ashtu është një mundësi e mirë e socializimit të studentëve mes vete, por edhe me mësimdhënësit e tyre, sepse bashkëpunimi është një segment i rëndësishëm në zhvillimin profesional”, tha rektori Bajraktari.
Rektori i UShAF theksoi se aktivitete të tilla do të organizohen edhe në të ardhmen dhe tha se profesorët dhe menaxhmenti i Universitetit do të jetë gjithmonë pranë studentëve duke i mbështetur ata në forma të ndryshme.
“Ne kemi nënshkruar dhjetëra marrëveshje bashkëpunimi për punën praktike të studentëve tanë, por do të krijojmë edhe mundësi si kjo e sotmja dhe mundësi të tjera që ata të kenë mundësi të demonstrojnë aftësitë e tyre profesionale dhe në të ardhmen t’i shërbejnë ekonomisë së Kosovës si njerëz kompetent, ndërkohë të krenohen me diplomën e Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj”, tha rektori Bajraktari.