Në kuadër të një kampanje që është bërë në gjithë Kosovën, për dhënien e barnave pa pagesë për pensionistët, sot përfituan edhe pensionistët ferizajas.
Kompania “Tre farm”, për të dytën herë po u ndanë barna këtyre pensionistëve në nevojë. Përfaqësues të kompanisë në fjalë thanë se, kampanja për shpërndarjen e barnave për pensionistët do të zgjasë gjatë gjithë vitit. Përveç kësaj shtuan se për çdo produkt të shitur do të ndahen 3cent për pensionistë.
Mbështetjen me barna e mirëpritën edhe vetë pensionistët. Ata thanë se kjo do të jetë sadopak një ndihmesë për ta.
Edhe pse disa prej tyre kishin nevojë vetëm për barna esenciale, të tjerët kishin nevojë për disa lloje të tjera të barnave.
Kryetari i organizatës së pensionistëve dhe invalidëve të punës në Ferizaj, Nebih Mehmeti, theksoi se deri në 100 pensionistë në nevojë çdo muaj do të mund të marrin barna falas.
Donacioni i kompanisë “Tre farm” për pensionistët ferizajas kap shumën prej rreth 2 mijë eurove. U tha se ndihma me barna për një person arrin deri në 40 euro.