Në fshatin Mirash po realizohen një sërë projektesh.
Për të inspektuar nga afër punimet që po realizohen në rrjetin e kanalizimit në fshatin Mirash, doli edhe kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa me bashkëpunëtorët e tij. Ai vlerësoi se ky projekt është shumë rëndësishëm për banorët e këtij fshati me vet faktin se një pjesë e lagjeve nuk kanë pasur rrjet të kanalizimit.
“Ne jemi në vazhdimësi të realizimit të projektit për kyçjen në rrjetin e kanalizimit të disa lagjeve të shkapërderdhura të fshatit, në kanalizim afërsisht me gjatësi rreth një kilometër që përfshinë lagjen e xhamisë, çeshmës, Mirashin e ri, lagjen e Thaqëve të Hashaneve etj, projekt ky që për shkaqe të ndryshme nuk ka arritur që të realizohet i tëri. Rrjeti i kanalizimit në mënyrë suksesive po realizohet tash duke krijuar një mundësi më të mirë për infrastrukturë sa më funksionale të fshatit Mirash”, ka thënë kryetari Svarqa, duke shtuar se mbikëqyrjen e këtij projektit po e bëjnë zyrtarët komunal si dhe drejtues të fshatit Mirash.
Numri një i qytetit të Ferizajt, Muharrem Svarqa, ka thënë se së bashku me Qeverinë e Kosovës dhe Ministrinë e Infrastrukturës, po mundohen që të bëjnë një sërë projektesh për fshatin Mirash. Pritet që së shpejti të fillojnë punime nga lagja e Prekadinëve për të vazhduar tek rruga e Raqëvë, Hashanëve në rrugën kryesore që do të shpije në drejtim të rrugës Mirash i ri dhe në drejtim të Cërrnillës dhe të Babushit të Muhaxherëve.
“Do të ketë një nga lidhjet kryesore të kësaj arterie dhe do t’i krijojë mundësi komunës që në të ardhmen të merret vetëm me asfaltimin e rrugicave. Fshati Mirash natyrisht që i meriton këto investime sepse ka pasur një kohë të gjatë që është lënë pas dore edhe është obligim i qeverisë lokale që jete e vëmendshme edhe ndaj këtyre taksapaguesve që kanë qenë pjesë rrjedhëse e të gjitha këtyre zhvillimeve”, ka përfunduar kryetari Svarqa.
Edhe kryetari i fshatit Mirash Taip Bytyqi, më këtë rast ka falënderuar komunën e Ferizajt, që po bënë realizimin e këtyre projekteve në këtë fshat.
“Jemi shumë të gëzuar që shumë shpejt po fillon të ndërtohet edhe rruga e re e fshatit që lidh Mirashin me Mirashin e ri, Cernillë dhe Babushin e Muhaxherëve ku atje bëhet një kyçje edhe në autostradë”, ka thënë Bytyqi.
Fshati Mirash ka rreth 2150 banorë.