Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) ka nënshkruar Marrëveshje Bashkëpunimi me Korporatën HIB Petrol në Ferizaj, sipas të cilës studentët e Universitetit do të kenë mundësi të realizojnë punë praktike edhe në këtë ndërmarrje.
Kjo Ndërmarrje është e specializuar në fushën e menaxhimit të naftës dhe derivateve të saja, në sektorin e hotelerisë, restoranteve dhe marketeve që janë pjesë e aktiviteteve të saj, përfshirë edhe hotelin e njohur “Emerald”.
Prandaj, rektori i UShAF, z. Agron Bajraktari theksoi rëndësinë që ka kjo Marrëveshje për përgatitjen e kuadrove të reja, që do të dalin nga universiteti i vetëm i shkencave të aplikuara në Kosovë.
“Falënderojmë HIB Petrolin që hapi dyert për studentët tanë. Ne jemi të vendosur që Universitetin ta bëjmë të dëshirueshëm për të rinjtë jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë dhe këtë mund ta bëjmë vetëm me bashkëpunimin e partnerëve tanë nga industria dhe biznesi”, tha ai.
Rektori Bajraktari përmendi edhe faktin se studentët e Hotelerisë dhe Turizmit të UShAF, do të mund të kryejnë punë pratike në pikat e karburanteve të HIB Petrol, ku ka edhe restorante, por edhe në hotelin “Emerald”, ku ata kanë çfarë të mësojnë rreth organizimit të suksesshëm të punës sa i përket hotelerisë.
Ndërsa, përfaqësuesi i HIB Petrol, z. Hysen Lajqi theksoi se janë të kënaqur që po bëhen pjesë e Universitetit, i cili është i thirrur të përgatisë kuadro për tregun e punës, e që janë aq të nevojshme edhe për biznesët, por edhe për zhvillimin e ekonomisë në përgjithësi.
Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj tashmë ka krijuar një infrastrukturë të gjerë me marrëveshjet e shumta që ka lidhur me industrinë dhe bizneset, të cilën do ta shfrytëzojnë studentët gjatë viteteve të studimeve, në mënyrë që mësimi teorik të shoqërohet gjithmonë edhe me punën praktike.