Paraburgim ndaj tre të dyshuarve për rastin “Kufiri 2”

Share

Ferizaj, 28 nëntor 2026 – Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.N., T.E., dhe A.C., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 267 paragrafi 1 dhe 2 lidhur me nenin 275 paragrafi1 nën paragrafi 1.1 dhe 1.9 ; si dhe i pandehuri T.E., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm nga neni 356 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtarja e procedurës paraprake e Departamentit për Krime të Rënda, Fitore Daci, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar se më datë 27 nëntor 2026, në kuadër të një mosmarrëveshje dhe veprimi të përbashkët, me qëllim të transportimit të substancës narkotike të llojit marihuanë nga territori i Republikës së Kosovës për në Republikën e Maqedonisë së Veriut, të pandehurit kanë ndërmarrë veprime të koordinuara për sigurimin, marrjen, transportimin dhe përcjelljen e substancës narkotike, në atë mënyrë që i pandehuri J.B., me veturën e markës VW Arteon, ngjyrë e kuqe, dyshohet se ka pasur rolin e vëzhgimit të terrenit dhe të rrugës së transportimit, duke lëvizur përpara automjeteve të tjera dhe duke mbajtur distancë prej tyre, me qëllim të vëzhgimit të rrugës dhe paralajmërimit për pengesa apo kontrolle të mundshme policore, ndërsa, të pandehurit A.N., dhe A.C., duke udhëtuar së bashku me veturën VW Tiguan, ngjyrë e bardhë, dyshohen se kanë pasur rolin e vëzhgimit të përcjelljes së automjetit Audi A6, ngjyrë e zezë, të cilën e drejtonte i pandehuri T.E., dhe në të cilën transportohej substanca narkotike, me ç` rast duke drejtuar automjetin Audi A6 ka transportuar substanca narkotike të llojit marihuan, të cilën paraprakisht e kishte siguruar nga i pandehuri A.Sh., me qëllim të dërgimit të saj në drejtim të Hani të Elezit dhe më pas në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Gjithashtu, ndaj të pandehurit T.E., ekziston dyshimi i bazuar se në vazhdimësi të veprimeve, rreth orës 09:50, në afërsi të kryqëzimit të rrugës me autostradën, janë identifikuar automjetet e përfshira në transportimin e dyshuar të substancës narkotike.

Pas përcjelljes së tyre nga njësiti policor, është tentuar ndalimi i automjetit në autostradë, me atë rast automjeti VW Tiguan ka ndaluar, ndërsa i pandehuri T.E., duke drejtuar automjetin Audi A6, nuk iu është bindur urdhrave dhe sinjalizimeve policore për ndalim, por ka vazhduar në lëvizjen me shpejtësi të madhe, duke tentuar t`i shmanget kontrollit policor, gjatë ndjekjes policore i pandehuri ka vazhduar lëvizjen në drejtim të Ferizajt, ku në afërsi të urës së madhe ka shkaktuar aksident trafiku me lëndime ndaj dy qytetarëve që udhëtonin me automjetet e tyre, pas së cilës ka vazhduar ikjen në drejtim të Kaçanikut, në afërsi të lokalitetit “M”, automjeti ka humbur kontrollin dhe ka dalur jashtë rrugës.

Gjyqtarja e procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.

Të ngjashme: