Është Ferizaj, qyteti që identifikohet me murale që tash e sa vite organizohet ngjarja e veçantë kulturore, Festivali i Muraleve.
Në këtë edicion, sikurse edhe në ato parapraket, gjurmët e artistëve vendor e ndërkombëtar, mbetën të skalitura në ndërtesat shumëkatshe kudo në Ferizaj.
Për t’i përgëzuar për këtë punë krijuese të veçantë, mëngjesin e sotëm, Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, bashkë me drejtoren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Xhemile Murati Shabani, pritën në takim drejtueset e Festivalit dhe artistët e angazhuar këtë edicion.
Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu pasi ndau histori të qytetit, zhvillimin ndër dekada, tha se muralet janë pjesë e identitetit të qytetit tonë dhe se si e tillë kjo ngjarje, punimet që lënë gjurmë në gjithë qytetin tonë, meritojnë dhe do të mbështeten vazhdueshëm nga ana e institucioneve lokale. Ai shtoi se e veçanta e këtij edicioni është pikërisht gjendja që ka pllakosur botën, ku në një ambient frike kudo nga shpërndarja e virusit, janë punët e artistëve vendor e ndërkombëtar që thyen monotoninë e përmes ngjyrave sollën shpresën.
Përgëzime për punën e tyre, angazhimin në këtë Festival, shprehu edhe drejtorja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Ferizaj, Xhemile Murati Shabani. Ajo tha se drejtoria që udhëheq, në kalendarin e saj vjetor të ngjarjeve të kulturës, vend meritor i ka dedikuar si në mbështetje ashtu edhe në shtrirjen e festivalit anekënd Ferizajt, Festivalit të Muraleve në Ferizaj.
Lebibe Topalli – drejtore e Festivalit të Muraleve, paraqiti një pasqyrë të plotë të gjithë punës së realizuar për disa ditë me radhë e që disa nga këndet e Ferizajt kanë arritur t’i transformojnë në pika reference, të këndshme e atraktive me punimet e artistëve të angazhuar në këtë festival.
Ajo falënderoi Kryetarin e Komunës, Agim Aliu për mbështetjen e pakursyer ofruar gjer tani për të gjitha edicionet e Festivalit, çka bën qytetin tonë, me një pasuri kulturore unike në gjithë vendin.
Entuziastë për zhvillimin e qytetit, përvoja të këndshme e falënderime për mikpritjen u shprehën edhe artistët e huaj, pjesëmarrës në Festival, të cilët i pari i Ferizajt, Agim Aliu i ndau si dhuratë – suvenire me të veçanta e Ferizajt e Kosovës, si falënderim për gjurmët që ata lanë me veprat e tyre artistike në qytetin e Ferizajt.