Aunori është 16 vjeçar, mësimet e rregullta i vazhdon në shkollën speciale “Xheladin Deda” në Pejë. Krahas shkollimit të rregullt, Aunori, që nga mosha 10 vjeçar merret edhe me muzikë. Si i tillë ai ka marrë pjesë në disa festivale vendore, po ashtu dhe në disa koncerte si solist dhe interpret në piano. Aunori, që nga viti 2017 vazhdon aktivitetin e tij muzikor në kursin e muzikës “Kromatika në Ferizaj, nën përkujdesjen profesional të profesorit Shaban Ratkoceri.
Profesor Shaban Ratkoceri, gjatë një bisede tregon për talentin e Aunorit në piano dhe veçanërisht në këndim “Aunori ka marrë disa shpërblime me këngët e tij origjinale, tash së fundi kam kompozuar një këngë – baladë. Me këtë këngë, Aunori do të përfaqësoj Kosovën për herë të parë në “Lions World Song Festival” në Poloni” thotë profesor Ratkoceri
Merret vesh së në këtë festival do të marrin pjesë shumë talent të muzikës të cilët kanë probleme me të pamurit, dhe ky festival i dedikohet kësaj kategorie nga e gjithë bota.
“Është kënaqësi ta përfaqësoi vendin tim në një event të tillë.Meritë ka profesori Shaban”, pohon Aunori
Duhet të cekur se ky Festival realizohet LIVE nën përcjelljen e orkestrit.
Sipas organizatorit festivali pritet të mbahet në muajin nëntor të këtij viti.
“Në këtë këngë kam punuar shumë, dhe me shumë emocion” shpjegon tekstshkruesi dhe kompozitori i këngës prof Shaban Ratkoceri, teksa ka shtuar se në realizimin final të këngës kanë marrë pjesë bashkëpunëtorët muzikor, solistja Daorsa Sopa, ndërsa miksimin dhe masterin e këngës e ka punuar Kenan Bytyçi.