26,11,2024

Ferizaj shënoi 28 Shtatorin – Ditën e Dëshmorëve!

Must Read

Lum i gjatë qytetarësh vërshoi sot Kompleksin Memorial të Dëshmorëve të Kombit të UÇK-së në Ferizaj, ku u bënë homazhe në nderim të jetës, trimërisë dhe sakrificës së Dëshmorëve të Kombit në datën e lavdisë e krenarisë sonë kombëtare – 28 shtatorin – Ditën e Dëshmorëve.

Paria e Ferizajt, e prirë nga Kryetari i Komunës, Agim Aliu, Elmi Reçica, Bajrush Xhemaili, Mexhide Mjaku Topalli, Mustafa Grainca, Gazmend Bytyqi, kryetari i Shoqatës së familjeve të dëshmorëve, Gafurr Bytyçi, kryetari i OVL-së në Ferizaj, Rafiz Sejdiu, Kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli, Kryesuesja e Kuvendit, Kristina Gashi Bytyçi, drejtorët komunal, dhjetëra drejtues e përfaqësues të institucioneve të shtetit e qindra qytetarë u përkulën pranë varreve të bijve më të dashur të kombit tonë, luftëtarëve të lirisë, në nderim të sakrificës sublime që solli lirinë.

Manifestimi për shënimin e Ditës së Dëshmorëve në Ferizaj vijoi edhe me Akademi Përkujtimore në Teatrin “Adriana”. Në fjalën e tij në këtë ngjarje, Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu tha se 28 shtatori frymon me 28 nëntorin e lavdisë, ditë e datën e krenarisë sonë kombëtare.

“Erdhën dhe janë me ne, në këtë fllad vjeshte, 62 bijtë e bijat tonë guximtar që lanë me gjakun e tyre, lirinë e shtetin që sot jetojmë. Ju nëna e baballarë të dëshmorëve, familje në krye të shtetit e shoqërisë sonë, dhatë gjithë çfarë patët. Bekuat jetën e flijimin e bijve tuaj dëshmorë, përballuat që në sofrën e shtëpisë të ndihet zbraztira gjithmonë, ju i falët Kosovës atë çfarë pati nevojë, supet e bijve tuaj e bartën peshën më të rëndë, peshën e lirisë së larë me gjak e shtetit që e arritëm me shumë mund. Qëndresa juaj heroike nuk njohu asnjëherë dorëzimin! Këtë mësuan nga ju bijtë e bijat tuaja! Qëndresën, mospërkuljen, trimërinë e dashurinë që rrjedh në gjithë trupin tonë për kombin e atdheun. Ju i dhatë mësimin më të madh një kombi e shoqërie, shteti e Republike, sesi duhet atdheu, sesi loti është robëri e lufta është liri! Ju bashkëluftëtarë, në këtë përkujtimore të lavdisë sonë që ka njollat e gjakut të lirisë, jini krenarë. Jini krenar e të prekur thellë në zemër, nga sakrifica, nga guximi, nga fryma e fundit që i dha jetë lirisë, nga zemra e zëri i dëshmorit që rrah e jehon edhe sot, 20 vite pas, jehonë që në detyrimin tonë që sot e në të ardhmen të japim më të mirën. Ju bëtë çlirimin! Ju sollët lirinë! Ju i dhatë flamurit kuq e zi, gjakun që e përndriti kombin tonë. Me flamurin që mbanin në gji, sytë që nuk dridhnin e njihnin frikën, forcën që buronte nga dejet e shqiptarit, kallën tmerrin tek armiku. E zjarri i trimërisë, farkëtoi shtetin e lirinë, frymën e lirë e zhvillimin. Ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës që i vuri shqelmin kërcënimit të qenies sonë kombëtare, ishin djemtë e vashat, maleve të Kosovës që rrokën armët për ta bërë lirinë të prekshme, ishin dëshmorët që sot përkujtojmë që edhe në frymën e fundit, shtrënguan fortë në gjoks flamurin duke i kënduar trimërisë” tha i pari i Ferizajt, Agim Aliu.

I emocionuar nga fjala e të parit të Ferizajt, Agim Aliu, në emër të familjeve të dëshmorëve, të pranishmëve iu drejtua kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve në Ferizaj, Gafurr Bytyçi. Ai lartësoi heroizmin, trimërinë e sakrificën e bijve e bijave më të dashur të kombit, që flijuan jetën për atdhe.

Moment kulminant në këtë ngjarje ishte shpërndarja e dekoratave presidenciale për guxim e trimëri për lirinë e Kosovës, për 10 Dëshmorët e Kombit, dekorata këto që i akordoi Presidenti i Republikës, Shkëlqësia e Tij, Hashim Thaçi.

Me Urdhrin “Hero i Kosovës” u dekoruan Dëshmorët e Kombit: Gursel Sylejmani, Sejdi Sejdiu, Kemajl Hetemi, Bajram Sylejmani, kurse me Urdhrin “Adem Jashari” u dekoruan Dëshmorët e Kombit: Nazim Terziu, Bashkim Vishi, Arsim Zeqiri, Sali Baliu, Lulzim Guta. Dekoratat për familjarët e dëshmorëve i ndanë Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, ish kryetari Bajrush Xhemaili, deputeti Elmi Reçica, kryetari i OVL-UÇK-së në Ferizaj, Rafiz Sejdiu dhe Gjeneral Imri Ilazi.

Akademia përkujtimore vijoi me program artistik të përgatitur nga okteti i qytetit nën dirigjimin e prof. Lindita Isufi dhe performimin e këngëtarëve, Veli Sahiti, Fahrush Azemi e Urim Salihu.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

30 gra udhëheqëse të agrobizneseve përfitojnë 300 mijë euro grante

Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Burim Bajrami mori pjesë sot në tryezën tematike "Mundësitë e grave në sektorin bujqësor,...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img