Deri kur kjo qeverisje do të paguaj dhe taksat e qytetarëve do të shkojnë dëm për shkak të arrogancës, inateve e vendimeve të kundërligjshme të ndërmarra nga pushteti i kaluar?! Kjo është pyetja që rëndon për të satën herë buxhetin komunal dhe xhepin e ferizajasve, duke ditur që ka disa raste të tilla që kanë trokitur në dyert e Komunës, thuhet në deklaratën lëshuar nga Komuna e Ferizajt
Së fundmi, organet e drejtësisë, ndonëse në një proces ende të papërmbyllur tërësisht i dhanë të drejtën profesorit Shemsi Heta që të rikthehet në vendin e punës, drejtor në Gjimnazin “Kuvendi i Arbërit”. Ky vendim, ka bërë që të vihet në lëvizje mekanizmi komunal për ta zbatuar si të tillë në përmbushje të parimit të zbatimit të vendimeve gjyqësore. Ndonëse në këtë institucion, tash e sa kohë është krijuar një gjendje krejtësisht tjetër sa i përket menaxhmentit, Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu bashkë me drejtorin e Arsimit, Afrim Llabjani kanë vendosur që në tërësi ta zbatojnë këtë vendim gjyqësor, me kosto të lartë financiare për buxhetin e Komunës, procedura e së cilës kishte filluar qysh pas shkarkimit që i ishte bërë drejtorit Heta nga qeverisja Svarqa.
Drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Afrim Llabjani ka takuar drejtuesit e Gjimnazit “Kuvendi i Arbrit” me ç’rast edhe i ka njoftuar për vendimin e gjykatës dhe veprimet që do të ndërmarr pushteti lokal, karshi saj, nga ku ka rezultuar se nga data 16 Shtator e këtij viti, drejtor në Gjimnazin “Kuvendi i Arbërit” do të kthehet, profesori Shemsi Heta.
Qeverisja Aliu është ballafaquar me disa raste të tilla, ku gjykatat paradoksalisht kanë kthyer në vende pune, individë që i kishte skaduar mandati dhe jashtë çdo parametri kohor e funksional për institucionin ku bënin pjesë.