Policia e Kosovës në rajonin e Ferizajt është duke zhvilluar një aksion kundër lokaleve të lojërave të fatit që funksionojnë ilegalisht.
Këtë e ka konfirmuar nga Policia e Ferizajit edhe Major Mehmet Ali Hajdini.
Ai tha se momentalisht janë duke i bastisur 10 lokale dhe se kanë siguruar prova, por aksioni nuk ka përfunduar ende.
“Po, momentalisht jemi duke i bastisur 10 lokale, jemi në proces e sipër, kemi siguruar prova deri tani, por ende nuk kemi përfunduar, detaje të tjera do të dalin më vonë”, tha Hajdini.
Në Kosovë kohëve të fundit janë shpeshtuar veprimtaritë e jashtëligjshme me lojëra të fatit.
Kjo pasi Kuvendi i Kosovës ka ndaluar me ligj funksionimin e tyre duke shfuqizuar Ligjin për Lojërat e Fatit.
Punëtorët e këtyre kompanive kanë paralajmëruar se do të ndërmarrin hapa kundër këtij ligji.