Maturantët në Kosovë sivjet do ta kenë më të vështirë kopjimin, gjegjësisht të ndaluar rreptësisht të kenë edhe telefon me vete në Testin e Maturës.
Kjo, ndryshe prej herëve të kaluar, kur nxënësit lirshëm kanë kopjuar e shkëmbyer mesazhe në faqe të ndryshme në rrjetet sociale.
Fehmi Hysenaj, këshilltar i lartë politik i ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi, sot në një prononcim për Gazetën Observer, ka treguar se sa nxënës do t’i nënshtrohen këtij testi, derisa ka folur edhe për risitë që do të jenë këtë vit.
“Sivjet do t’i nënshtrohen Testit të Maturës 28.400 nxënës. Pjesa e parë e Maturës Shtetërore do të mbahet nga data 5 deri më 8 qershor 2019, ndërsa pjesa e dytë nga data 19 deri më 22 qershor 2019.
Provimi do të mbahet në katër lëndë, tri nga të cilat do të jenë obligative dhe një me zgjedhje nga vet nxënësit.
I kemi marr të gjitha masat e duhura që testi të mos dal jashtë shkollave, lokacionit ku e mbajnë testin”, ka bërë me dije Hysenaj për Gazetën Observer.
Më tej, ai ka njoftuar se cilat janë konkretisht masat që do të merr MASHT-i për mbarëvajtjen e testit në mënyrën më të mirë,
“Ne jemi në procedurë të furnizimit me pengesë të valëve, po ashtu ka edhe risi të tjera. Po e ritheksoj se masat i kemi ashpërsuar, ndërsa problemi kryesor mbetet te administruesi. Do t’i sanksionojmë me licencën e punës që e marrin nga MASHT-i. Po ashtu, do të ketë edhe trajnime më të avancuara për administruesit..Krejt kjo, që gjithçka të shkojë mirë dhe të evitohen parregullësitë”, shtoi tutje Hysenaj.
Sipas tij, përgjegjësia që mbajtja e këtij testi të shkojë mirë, bie mbi drejtorët e shkollave dhe administruesit.
“Sipas vendimit që kemi marr, nuk do të lejohen nxënësit të hyjnë me telefonë. Drejtorët e shkollave do të jenë të obliguar që t’i kontrollojnë nxënësit, në mënyrë që mos të lejohen të hyjnë me telefonë.
Pra, drejtorët e kanë kontrollimin e nxënësve, ndërsa administruesit i kanë detyrat e tyre”, tha ai.
I pyetur pse viteve të kaluara kanë ndodhur parregullsi, edhe përkundër masave që ka marr MASHT-i, Hysenaj ka dhënë këtë përgjigje.
“Nuk kanë qenë në nivel administruesit. Masa kemi marr edhe herët e kaluara ndaj tyre, ndërsa sivjet nëse hasim parregullësi, do t’ju merret licenca dhe më nuk do të kenë të drejtë të kryejnë këtë punë. Jemi duke punuar me ekspertë me një kompani holandeze, që testi të jetë me standard ndërkombëtar”, tha për fund ai.