I zbatuar nga CDF-ja, programi Brick po vazhdon me aktivitete që kanë për qëllim fuqizimin e rinisë kosovare.
Në bashkëpunim me “Mural Fest”, 28 punime plot ngjyra, stile të ndryshme e ide origjinale, u ekspozuan në Galerinë e Arteve në Ferizaj, raporton “Express” i KTV-së.
E veçanta e kësaj ekspozite ishte tema që zgjoi kreativitetin e shumë nxënësve të shkollave të mesme të regjionit të Ferizajt.
“Toleranca” e shprehur në vizatime, piktura e punime digjitale, tregoi më së miri talentin dhe mentalitetin e shëndoshë të artistëve të rinj pjesëmarrës, disa prej të cilëve edhe u shpërblyen për punën e tyre.
Aktivitetet që janë zhvilluar në regjionin e Ferizajt në kuadër të programit Brick, kanë ndikuar shumë në integrimin e rinisë në fusha të ndryshme artistike, kulturore e edukative.
Një nga veprat e shpërblyera pritet të realizohet si mural, ndërsa drejtoresha e Mural Fest, thotë se shpreson se ky nuk do të jetë bashkëpunimi i fundit me CDF.
Përveç aktiviteteve artistike, programi BRICK do të vazhdojë edhe me aktivitete tjera, duke përfshirë edhe ato profesionale.