Marrëveshja historike në mes të Kosovës dhe Serbisë ka hyrë në fazën finale, dhe ajo mund të marr formë më 11 nëntor në Paris, ku dy presidentët, ai i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vucic, janë ftuar nga presidenti francez Emanuel Macron, në një takim ku të pranishëm do të jenë liderët më të fuqishëm botëror, si Donald Trump, Vladimir Putin e Angela Merkel.
Thaçi e Vucic kanë dhënë shenja se Kosova dhe Serbia mund të arrijnë marrëveshje historike, përmes korrigjimit të kufirit, ku me këtë rast Serbia do të pranonte Kosovën, dhe kjo e fundit do të mund edhe të bëhej anëtare e OKB’së.
Por, për këtë fuqitë perëndimore vazhdojnë të jenë të ndara. Edhe pse SHBA po e mbështet marrëveshjen Kosovë-Serbi përmes ndryshimit të kufijve, është Gjermania e Angela Merkel që po e kundërshton fuqishëm këtë formulë të zgjidhjes së problemit në mes të dy vendeve, shkruan gazetametro.net.
Megjithatë, duket se presidenti francez, e ka marrë përsipër që nëse Kosova dhe Serbia pajtohen, atëherë Gjermaninë ta bindë të ndryshojë qëndrim vet Macron.
Prania e liderëve më të mdhenjë botëror te Macron, ku do të diskutohet marrëveshja finale Kosovë-Serbi, që parashihet edhe si përmbyllje e krizës disa dekadëshe në Ballkanin Perëndimor, po shikohet si mundësi, ku jo vetëm Kosova dhe Serbia, por për këtë të arrihet edhe pajtimi i Rusisë.
“Përtej përkujtimit, kjo është po ashtu një mundësi për të reflektuar rreth rendit të sotëm botëror dhe përgjegjësisë sonë kolektive për forcimin e paqes botërore dhe qeverisjes, duke pasur parasysh mësimet e nxjerra nga Lufta e Parë Botërore dhe angazhimet e më pasme për ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme’, thuhet në ftesën që Macron u ka dërguar liderëve të shteteve.
E pikërisht krijimi i një paqeje të qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë është në tryezën e diskutimeve mes liderëve botërorë më 11 nëntor në Paris.
Siç mësohet, ky do të jetë rast kur fuqitë e mëdha do të kenë rastin që, në prani të presidentit Thaçi dhe Vucic, të arrijnë në një konsensus për arritjen e ‘marrëveshjes finale’ mes të dyjave vendeve.
Prania e presidentit Trump, presidentit Putin si dhe kancelares Merkel, e cila është shprehur e ashpër kundër korrigjimit të kufirit, do të krijojë klimën që, siç ishte deklaruar Macron, të gjendet një gjuhë e përbashkët mes Kosovës dhe Serbisë, e cila më pas do të gëzonte përkrahjen e fuqive të mëdha.
E para këtij takimi të rëndësishëm në Paris, Serbinë e Kosovën i vizitoi zyrtari i lartë i ‘Department of State’, Matthew Palmer, i cili i përgatiti dy shtetet se ‘Amerika e BE’ja nuk kanë kohë për të pritur Kosovën e Serbinë’.
Ndryshe, ideja e presidentit Thaçi ishte kundërshtuar ashpër nga Gjermania, mirëpo siç kishte thënë vetë presidenti kosovar, ajo kishte marrë përkrahjen e Amerikës dhe vendeve të tjera si Franca ./gazetametro