Presidenti turk, Recep Tayip Erdogan, akuzoi Gjermaninë dhe Holandën si nazistë, pasi këto vende bllokuan përpjekjet turke.
E kryeministri holandez ,Mark Rutte, tha se komentet e Erdogan ishin të papranueshme, pasi nuk mund të akuzohet si nazist një vend që u bombardua nga nazistët në luftë. Rute shtoi se nëse Turqia vazhdon në rrugën e saj, Holanda do të konsiderojë përgjigjen.
Në të njëjtin kuadër, ministri i jashtëm i Gjermanisë, Sigmar Gabriel, tha se shpreson që Turqia të ndryshojë qëndrim, ndërsa kryeministri danez, Lars Lokke Rasmussen, shtyu një takim të planifikuar me Erdogan, pasi tha se parimet e demokracisë janë të kërcënuara në Turqi.
Rasmusen shtoi se e shtyu takimin, sepse ai nuk mund të zhvillohej i ndarë nga situata e krijuar pas sulmeve verbale turke ndaj Holandës.
Qëllimi i mitingjeve të organizuara nga qeveria turke ishte që të nxisnin turqit që jetojnë në Evropë që të votojnë për të mbështetur referendumin që zgjeron fuqitë e presidentit.
Por mitingjet e planifikuara në Gjermani, Austri dhe Holandë u ndaluan nga autoritetet vendase që e justifikuan këtë me shqetësime për sigurinë dhe rritje tensionesh, shkruan tch.
Megjithatë, ministri gjerman i brendshëm, Thomas de Maiziere, u tregua mjaft i qartë dhe tha se fushata zgjedhore turke nuk ka punë në gjermani.
Me referendumin e 16 prillit, Turqia do të vendosë nëse do të kthehet në një republikë presidenciale duke i dhënë Erdoganit superfuqi.
Miliona turq jetojnë jashtë vendit dhe qeveria kërkon që të marrë votat e tyre. Por duket se Ankaraja nuk kishte llogaritur reagimin e vendeve perëndimore që ndaluan mitingjet, diçka që zemëroi tej mase presidentit Erdogan.