25,11,2024

Projektligji për paga nga buxheti i Kosovës godet rëndë Agjencinë e Kosovës për Forenzikë

Must Read

Edhe pse shumë i vonuar, draftimi i Projektligjit për Paga nga Buxheti i Kosovës ka qenë shumë i nevojshëm.

Po të shikohet sistemi i deritanishëm i pagave në sektorin publik, vërehen qartë standardet e dyfishta që kanë ekzistuar mes institucioneve dhe shpeshherë edhe brenda një institucioni.

Prandaj, projektligjin e ri duhet shikuar si një përpjekje për t’i eliminuar këto keqpërdorime, por me kusht që të eliminohen disa lëshime që janë bërë në dëm të disa institucioneve të rëndësishme apo rastet kur janë favorizuar institucione të tjera të caktuara.

Konsideroj që njëra nga padrejtësitë më të mëdha i bëhet Agjencisë së Kosovës për Forenzikë (AKF), pavarësisht faktit që ky institucion është një nga më profesionalët në Republikën e Kosovës.

I

Agjencia e Kosovës për Forenzikë është institucion përgjegjës për ofrimin e paanshëm të analizave shkencoro-forenzike, themeluar me ligj të veçantë nga Kuvendi i Republikës se Kosovës.

Si institucion i pavarur ekzekutiv në kuadër të Ministrisë se Punëve te Brendshme financohet nga buxheti i shtetit. Duke u bazuar në procedurë penale kryen veprimet-ekspertizat forenzike në nivel vendi për gjykatë, prokurori dhe agjenci të tjera të zbatimit të ligjit. Misioni i saj është që të ofrojë shërbime forenzike cilësore në përputhje me legjislacionin në fuqi, standardet vendore dhe ndërkombëtare.

Agjencia e Kosovës për Forenzikë ka përgjegjësi të lartë për sistemin e drejtësisë në vendin tonë, sepse nën administrimin, sigurimin dhe mirëmbajtjen e saj ka 4 baza (sisteme nacionale  kriminale) të të dhënave rreth kryerësve të veprave penale, me rreth 150.000 profile:

CODIS (Sistemi automatik për profilizim dhe krahasim të ADN-së);

IBIS (Sistemi automatik për kërkim balistik);

AFIS (Sistemi automatik për gjurmë të gishtave) me 6 stacione në rajonet policore, në aeroport dhe në pika kufitare;

LIMS (Sistemi për menaxhimin e të dhënave për AKF-në).

Agjencia e Kosovës për Forenzikë aktivitetin e vet e mbështet në personelin e specializuar shkencor dhe në personelin mbështetës, me përgjegjësi dhe ndërlikueshmëri të lartë të punës.

Personeli i specializuar shkencor është  i përgatitur profesionalisht, ku për vite e vite me radhë është investuar në ata punonjës përmes trajnimeve e certifikimeve përkatëse, nga ekspertë vendorë e ndërkombëtarë (nga SHBA-ja, vendet evropiane, Kanadaja, etj.). Ky personel është esencial dhe është i pazëvendësueshëm për një kohë të gjatë, ngase të punësuarit në AKF përveç shkollimit superior që kanë për të arritur në nivelin për të kryer ekspertiza të pavarura, i janë dashur edhe  4-7 vjet trajnime.

II

Projektligji për Paga nga Buxheti i Kosovës ka shumë mangësi dhe është për t’u befasuar se si hartuesit e këtij Projektligji kanë lejuar që të ketë deformime të tilla, të cilat padrejtësisht godasin disa institucione të caktuara.

Në këtë Projektligj Agjencia e Kosovës për Forenzikë trajtohet në kundërshtim me vetë rëndësinë që ka ky institucion, derisa në të njëjtën kohë privilegjohen institucione të caktuara, të cilat për nga rëndësia juridike janë të njëjta me AKF-në.

Agjencia e Kosovës për Forenzikë (AKF)) dhe Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) janë institucione të pavarura në kudër të MPB-së. Pra, janë institucione të të njëjtës kategori juridike.

Mirëpo kjo e dhënë siç duket nuk është përfillur fare nga grupi punues i projektligjit në fjalë, duke rezultuar me degradim të pozicionit të AKF-së në raport me privilegjimin e IPK-së.

Në ligjet përkatëse të këtyre institucioneve udhëheqësit e tyre mbajnë titullin “Kryeshef ekzekutiv”. Por, kjo nuk është marrë parasysh në Projektligjin për Pagat dhe në Kornizën e Pozitave, ku kryeshefi ekzekutiv i IPK-së në kundërshtim me ligjin paraqitet si “Kryeinspektori i IPK-së”.

Po të krahasohet pozicionimi i kryeshefit të AKF-së në Kornizën e Pozitave në këtë Projektligj me pozitën e “Kryeinspektorit të IPK-së”, atëherë është shumë lehtë të konkludohet se kjo është bërë me qëllim dhe në dëm të AKF-së. Ndryshe nuk ka se si të shpjegohet fakti se “Kryeinspektori i IPK-së” është vendosur në koeficient 6.2 (ekuivalent me zëvendësministrat) ndërsa kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë së Kosovës për Forenzikë dhe kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë për Menaxhim Emergjent në koeficientin 4.85.

Pra, “Kryeinspektori i IPK-së” është vendosur tetë ( 8) kategori më lart se kryeshefat e AKF-së dhe AME-së. Rrjedhimisht  shtrohet pyetja: Me çfarë baze ligjore, logjike a parimore është bërë kjo ndarje kaq e madhe ndërmjet kryeshefave ekzekutivë brenda së njëjtës Ministri (MPB)? Pse nuk japin sqarime anëtarët e grupit punues të projektligjit dhe të tregojnë se cili ka qenë motivi i një kategorizimi të tillë?

Kjo goditje që i bëhet kryeshefit të AKF-së me këtë Projektligj, godet edhe pozicionet e tjera brenda AKF-së. P.sh., pozicioni i drejtorit të Departamentit në AKF krahasohet njëjtë me lektorin e UP-së. Logjikisht, a mund të jenë të njëjta këto dy pozicione? Cila është përgjegjësia dhe ndërlikueshmëria e punës së lektorit në raport me drejtorin e Departamentit në AKF? Anomalitë e  tilla janë të shumta në këtë Projektligj.

III

Projektligji për Paga nga Buxheti i Kosovës është i padrejtë për AKF-në dhe si i tillë dëmton perspektivën profesionale të këtij institucioni kredibil. Trajtimi në këtë formë i menaxhmentit drejtues dhe ekspertëve shkencorë mund të ndikojë në largimin e shumicës së tyre.

Në një rast të tillë, humbjet do të ishin shumë të mëdha, kur kihet parasysh se sa shumë është investuar në ngritjen e tyre profesionale.

Për ngritjen dhe formësimin e admirueshëm që sot ka arritur Agjencia e Kosovës për Forenzikë, meritorë janë edhe të gjitha institucionet ndërkombëtare dhe Qeveria e Kosovës, të cilat kanë investuar shuma të mëdha: SHBA-ja ka investuar 15 milionë $ për ndërtimin dhe zhvillimin e laboratorëve të forenzikës; Komisioni Evropian ka investuar 1.2 milion € në Sistemin e Integruar për Identifikim balistik; OSBE-ja ka investuar rreth 300.000 € dhe Qeveria e Kosovës ka investuar rreth 4 milionë €. Pra, në total deri më tani janë investuar rreth 20 milionë €.

AKF-ja është përgjegjëse për menaxhimin dhe mirëvajtjen e procesit të mbi 5000 ekspertizave në një vit apo të mbi 50.000 provave dhe dëshmive.

Profesionalizmi dhe sukseset e AKF-së tanimë janë të pranuara edhe ndërkombëtarisht.

Prandaj, kam shumë besim që deputetët e Kuvendit të Kosovës do t’i rishikojnë anomalitë e prezantuara në këtë Projektligj, në mënyrë që AKF-ja të trajtohet profesionalisht dhe të vlerësohet ashtu siç e meriton.

Nehat Mustafa  (Autori është zëvendësministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme)

 

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Verona Kryeziu, shpallet fituese e Festivalit “Kosovarja Këndon” 2024

Festat e Nëntorit nisëm me Festën e Këngës Popullore - edicionin e 52-të të Festivalit "Kosovarja Këndon" Me këngë shpirti,...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img