Deklaratat e Hahn pasuan tensionet e krijuara rreth një treni me ngjyrat e flamurit serb dhe me mbishkrimin “Kosova është Serbi” në 20 gjuhë, që u cilësua promovues, i cili u nis të shtunën nga Beogradi drejt Mitrovicës dhe u kthye në kufi me Kosovën.
Ndalimi i trenit për të hyrë në Kosovë nxiti një ‘luftë fjalësh’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërkohë që presidenti serb Tomisllav Nikoliq, deklaroi se “është i gatshëm të dërgojë trupa në Kosovë për të mbrojtur shtetasit serbë, nëse kjo është e nevojshme”.
Komisioneri i BE-së Johannes Hahn iu adresua retorikës së përdorur në ditët e fundit nga udhëheqës politikë.
“Ata nuk duhet të rrezikojnë atë që është arritur në dialog. Duhet të shikojnë përpara dhe jo të kthehen prapa”, tha Hahn.
Në pyetjen nëse Serbia është ajo që po “shikon prapa”, Hahn u përgjigj:
“Të gjithë ata që nuk shikojnë përpara, shikojnë prapa”.
Treni, që për autoritetet serbe do të qarkullonte në një linjë provuese Beograd Mitrovicë deri në gjysmën e muajit shkurt, u cilësua nga autoritetet në Prishtinë si “provokim” dhe u kërkua nga BE-ja ndërhyrja për ta ndaluar atë.
Qeveria e Kosovës vendosi në kufi me Serbinë forcat policore për të ndaluar hyrjen e trenit.
Kryeminstri I Kosovës Isa Mustafa tha se treni u ndalua “për të mbrojtur sovranitetin e vendit”.
Ndërkohë, kryeministri I Serbisë Aleksandar Vuçiq, pas një takimi me shërbimet serbe të sigurimit, ditën e shtunë, tha se “kishte marrë vendimin ta kthente trenin prapa në Beograd” duke akuzuar autoritetet në Prishtinë se “po luan lojëra lufte”.