Ndërmarrja ambientale “Kopshti i Artë” dhe Shkolla e Mesme për Teknologji dhe Agrobiznes, kanë nënshkruar sot një marrëveshje bashkëpunimi me interes reciprok.
Bazuar në pikat e marrëveshjes, tani e tutje disa nxënës të kësaj shkolle pjesën praktike do ta ndjekin në hapësirat e kësaj kompanie. E veçanta e kësaj marrëveshje lidhet me faktin se krahas aftësimit praktik nxënësit do të kompensohen edhe materialisht. E zyrtarët e DKA-së por edhe drejtuesit e shkollës kanë thënë se me këtë po synojnë ta rrisin interesimin e nxënësve për profilet e kësaj shkolle.
Këtë marrëveshje e ka vlerësuar i pari i Drejtorisë së Arsimit, Muhamet Halili, ka thënë se kjo marrëveshje dhe të tjerat që do të pasojnë janë në funksion të aftësimit praktik të nxënësve, e në të njëjtën kohë e kanë mundësinë e sigurimit të mjeteve materiale për nevojat e tyre.
“Ne falënderojmë drejtorinë e shkollës për angazhimin e tyre, por njëkohësisht edhe kompaninë e cila ka shprehur gatishmërinë dhe dëshirën për t’i përkrahur nxënësit e shkollës së bujqësisë dhe njëkohësisht duke i përgatitur për tregun e punës ku këta nxënës në momentin e kryerjes së shkollimit të mesëm e kanë mundësinë edhe aftësinë për t’u punësuar dhe për të krijuar kushte që të zhvillohen më tutje” ka thënë Halili.
Kjo marrëveshje njëherësh po synon që të rris interesimin e nxënësve për drejtimet që ofron shkolla. Drejtori i shkollës, Abdullah Imeri, ka thënë se në fokus të marrëveshjes është angazhimi i nxënësve që në emër të praktikës të kenë edhe një lloj kompensimi. Sipas tij, me vullnetin e kompanisë nxënësve do t’u heqen edhe shpenzimet e ushqimit.
”Kjo po tregon se bizneset tona kanë filluar të na sjellin praktika të një biznesi perëndimor ku të gjitha ata që kryejnë gjatë shkollimit praktikën e kanë edhe një lloj kompensimi material .Kjo do të jetë edhe një stimulim edhe për nxënësit por edhe për gjeneratat e ardhshme, sepse kjo shkollë ka mundësi të përgatisë kuadro që i nevojiten tregut “, ka thënë Abdullahu.
Për më tepër edhe pronari i kësaj kompanie, Faton Haxhisalihu, e ka vlerësuar marrëveshjen duke thënë se ideja ka qenë e përbashkët dhe është në të mirë të nxënësve të kësaj shkolle por edhe të ndërmarrjes.
“Ne si kompani kemi nevojë për punëtorë dhe bashkërisht me shkollën synojmë që të angazhojmë nxënës me qëllim të aftësimit praktik. Me këtë rast shkollës i kam sjellë edhe praktikumit të bimëve, i cili do tu hyjë në punë nxënësve dhe mësimdhënësve të kësaj shkolle” ka thënë Haxhisalihu.
Më pastaj nxënësit e kësaj shkolle kanë përcjellur procesin praktik të mbjelljeve të disa fidaneve në oborrin e shkollës, ndërsa zyrtarët e shkollës kanë thënë se marrëveshje të kësaj natyre do të ketë edhe në të ardhmen.