Këtë herë Shqipëria prezantohet me bukurinë alpine, Valbonën, në prestigjiozen amerikane National Geographic.
“Ata që zgjedhin turizmin e aventurës kanë nevojë për një vendqëndrim, për një guidë dhe për një pije të ngrohtë në fund të ditës. Ja nëntë destinacione ku mund të bëni ngjjitje, ecje, eksplorim etj, dhe ku mund të asistoheni nga vendasit”, citohet revista.
“Pas rënies së komunizmit, në fillim të viteve ‘90, veriu i Shqipërisë u bë zona më e varfër e vendit më të varfër në Europë’, thotë Catherine Bohne, amerikania e cila prej më shumës e 10 vitesh ka zgjedhur të jetojë e krijojë familjen e saj në Valbonë, duke lënë pas Amerikën.
E njohur si ‘Bjeshkët e Namuna’, zona ofron peisazhe malore të ngjashme me ato të Zionit (Parku Kombëtar në Utah të SHBA-së) dhe që mund të zbulohen gjatë ngjitjes. Majat e maleve formohen nga masive shkëmbore të bardha, ndërsa pyjet me bredh dhe ah krijojnë kontraste të gjelbra. Parku Kombëtar është pjesë e Alpeve dhe itinerarit që njihet me emrin ‘Maja e Ballkanit’. Në fshat gjenden shtëpi pritëse tradicionale.
Mënyra më e mirë për të shijuar këtë destinacion është që të qëndroni në një nga këto shtëpi, të shijoni ushqimin tradicional dhe të shikoni perëndimin e diellit”, thotë prestigjozja National Geographic, ndërsa këshillon ndjekësit e saj që ky destinacion të vizitohet në pranverë ose vjeshtë.
Ndërsa lugina e Valbonës, me bukurinë e saj të rrallë dhe jetesën origjinale të komunitetit të kësaj zone, është kthyer në një oaz mjaft të kërkuar për turistë të shumtë, të pranishëm thuajse për ç’do ditë, në brendësi të Parkut kombëtar të Valbonës sapo kanë nisur punimet përgatitore për ndërtimin e dy hec-eve të reja, në Dragobi dhe Çerem, kjo megjithë kundërshtimin e banorëve dhe një numëri të madh shoqatash joqeveritare, vendasse dhe te huaja.
Ndërtimi i hidrocentraleve brenda parkut kombëtar të Valbonës është kundërshtuar edhe nga kreu i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Zamir Dedej. Por, ai pranon se gjendemi përballë një fenomeni ku procedurat ligjore janë të mbaruara nga qeveria e kaluar duke bërë që kompanitë të kenë të gjithë dokumentacionin në dorë, kosto e ndalimit të secilës është shumë e madhe.
Në vitin 1996 qeveria shqiptare shpalli Luginën e Valbonës, Parku Kombëtar. Ndërsa në vitin 2013 qeveria miratoi kontrata koncensionare për ndërtimin e HEC-eve në Luginën e Valbonës, konkretisht në Çerem dhe Dragobi./KultPlus.com
.