Më shumë se 10 hektarë është prona kontestuese, e cila ka rezultuar me mosmarrëveshje, të cilat e kanë shtyrë Prokurorinë Speciale të ngrejë aktakuzë për krim të organizuar dhe detyrim ndaj Arben Bashotës dhe vëllezërve Osman e Sylejman Bajrami.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit nga viti 2004 së bashku me Ruzhdi Shaqirin e njohur si “Baksi” (i vrarë në gusht të vitit 2014), kanë bërë presione të vazhdueshme ndaj të dëmtuarit Murat Ternava, Hysen Shahini dhe Ismet Osmani që ta lirojnë pronën në sipërfaqe prej 10.12.53 hektarë që gjendet në Fushë-Kosovë, rrugës për në Prishtinë.
Krejt të kundërtën e Prokurorisë e pretendon avokati i Sylejman Bajramit, Haxhi Millaku. Sipas tij, të akuzuarit janë pronarë legjitimë dhe si çdo pronar tjetër kanë të drejtë të kërkojnë të drejtën e tyre.
Avokati thekson se që të akuzuarit janë pronarë legjitimë të pronës dëshmohet edhe nga vendimet gjyqësore.
Haxhi Millaku mendon se aktakuza është me tendencë dhe ka shumë grupe të interesit të përfshira në atë rast.
Ndryshe nga avokati pretendon prokurorja Bina-Rugova, sipas së cilës Murat Ternava pronën kontestuese e kishte marrë në shfrytëzim për 10 vjet nga KBI Ndërmarrja Shoqërore “Bujqësia”.
Sipas Prokurorisë, vlera e përgjithshme e objekteve të ndërtuara në pronën kontestuese nga të dëmtuarit është më shumë se 5 milionë euro.
E kujt është prona 10 hektarëshe?
Pronësia mbi pronën 10 hektarëshe është elementi kyç që Prokuroria ka ngritur aktakuzën ndaj Arben Bashotës dhe vëllezërve Bajrami.
Viti 2004 shënon fillimin e presioneve të të akuzuarve ndaj të dëmtuarve. Sipas Prokurorisë, Arben Bashota kishte siguruar aktgjykimin e falsifikuar të Gjykatës Komunale të Prishtinës të datës 21 shkurt 1997, sipas të cilit prona e kontestuar i ishte kthyer në pronësi private personit të quajtur Marko Mitroviq.
Gjithnjë sipas Prokurorisë, Arben Bashota po ashtu me një autorizim të falsifikuar pretendon se është i autorizuari i Mitroviqit që të ndërmarrë të gjitha veprimet juridike në lidhje me pronën.
Prokuroria pretendon se pikërisht duke u thirrur në këto autorizime Bashota kërkon nga Drejtoria e Kadastrës që të bëjë regjistrimin e këtyre ndryshimeve të pronësisë.
Sipas Prokurorisë, Drejtoria e Kadastrës në mars të vitit 2004 vihet në lajthitje dhe në bazë të kërkesës së Bashotës merr aktvendim me të cilin e vërteton atë çështje dhe disa ditë më pas lëshon edhe fletën poseduese për këtë pronë.
Për të vërtetuar pretendimin e saj Prokuroria përmend se ndaj Mitroviqit është zhvilluar procedurë penale për legalizim të përmbajtjes së pavërtetë në vitin 2006.
Avokati Millaku pikërisht i kundërvihet një pretendimi të tillë duke thënë se Mitroviqi ndaj të cilit pretendohet se legalizoi përmbajtje të pavërtetë, është liruar nga akuza për këto vepra dhe kjo e legjitimon pronësinë e të akuzuarve në pronën kontestuese.
Pikërisht, Mitroviq sipas aktakuzës së prokurores Bina-Rugova, me anë të 6 kontratave të shitblerjes i ka shitur pronën kontestuese Xhavit Bashotës, Shemsije Bashotës, Smajl Mehmetit, Xhyle Marajt, Violeta Ahmetit dhe Myzafer Maliqit.
Sipas Prokurorisë, të pandehurit me këto dokumente kanë insistuar te të dëmtuarit që t’u lirohen pronat, duke u paraqitur vazhdimisht në atë tokë dhe duke pohuar se është e tyre.
Viti 2007 sipas Prokurorisë shënon edhe fillimin e kërcënimeve serioze nga të pandehurit drejt të dëmtuarve ashtu që ndodhin disa incidente, siç ishte rasti i marsit 2008 kur Osman e Sylejman Bajrami dhe Ruzhdi Shaqiri paraqiten me ekskavator dhe fillojnë të groposin në pronë.
Të njëjtën ditë sipas Prokurorisë në një lokal në Prishtinë, Ruzhdi Shaqiri, Sylejman Bajrami dhe Osman Bajrami kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të të dëmtuarve Ismet Osmani dhe Hysen Shahini dhe nga ky rast kishin mbetur të plagosur 13 persona.
Sipas Prokurorisë, Mitroviq në vitin 2012 lirohet përfundimisht nga akuza dhe kjo shënon edhe një ngjarje tjetër të rëndësishme për këtë lëndë.
Prokuroria pretendon se Arben Bashota duke përdorur kërcënimin serioz kundër zyrtarëve të Drejtorisë së Kadastrës arrin që më 10 maj 2012 të hiqet masa e sigurisë, ndalesa e tjetërsimit dhe aprovohen kërkesat për bartje të kësaj prone dhe të regjistrohen në emrat e gjashtë personave të cilët kinse i kanë blerë këto prona tashmë të parcelizuara nga Marko Mitroviq në mars të vitit 2004.
Aktakuza pretendon se vetëm disa ditë pasi që ka ndodhur kjo, në objektet e të dëmtuarit Murat Ternava kanë shkuar të pandehurit Arben Bashota, Sylejman Bajrami dhe Osman Bajrami dhe i ndjeri Ruzhdi Shaqiri dhe këta dy të fundit me revole në dorë kanë kërkuar nga të pranishmit që t’i lironin objektet.
Për më tepër sipas Prokurorisë, të akuzuarit kishin lënë edhe një “njoftim” që kërkonte që uzurpatorët të lironin objektet.
Gjithashtu, sipas Prokurorisë, presioni ishte intensifikuar dhe të pandehurit të dëmtuarve u kishin lënë edhe një ultimatum ku thuhej se “ose t’i lirojnë objektet ose do të vijë deri tek më e keqja”.
Prokuroria pretendon se si pasojë e presionit në Durrës kishte ndodhur një takim mes të dëmtuarit Murat Ternava dhe Ruzhdi Shaqirit, i cili fliste në emër të Arben Bashotës dhe Osman Bajramit dhe nga ky takim është vendosur që Murat Ternavës t’i lejohej të shfrytëzohej vetëm njëri prej objekteve për biznesin e tij familjar dhe se për këtë ai do të paguante çdo muaj shumën prej 6,350 euro.
Prokuroria më tej në aktakuzë përshkruan se si pasi kishte bërë një denoncim në polici, i dëmtuari Murat Ternava ishte detyruar nga persona të paidentifikuar e të armatosur ta tërhiqte këtë denoncim. Kjo ka ndodhur në kohën kur djali i tij po mbahej peng.
Çka thotë mbrojtja?
Krejt ndryshe nga pretendimet e Prokurorisë Speciale mendon avokati Millaku.
Ai në një prononcim për KALLXO.com thotë së të akuzuarit janë pronarë legjimë dhe se për këtë ka vendosur gjykata në të gjitha shkallët.
“Është krejtësisht legjitime që pronarët të kërkojnë të drejtat e tyre nga një raport juridiko-civil dhe kontraktual”, tha Millaku.
Avokati thotë se pretendimet e Prokurorisë dhe aktakuza janë të mbështetura në pretendime verbale dhe se nuk kanë mbështetje në prova.
“Prokuroria thotë se kanë bërë presione dhe tek organet e gjeodezisë që t’i bartin këto prona por asnjë provë lidhur me këtë nuk e ka se dikush e ka denoncuar këtë rast. Ndoshta ka kërkuar që të bartet prona por ajo është obligim ligjor, e asnjëherë presion”, tha Millaku.
Haxhi Millaku thotë se në këtë rast janë të përfshirë shumë grupe të interesit.
“Hetimet kanë filluar para një viti, mirëpo këto prona kanë pasur një histori bukur të rëndë sepse ka pasur tendenca të shumë grupeve të interesit dhe nëse një pronari serb i është kthyer prona dhe nëse po ashtu është zhvilluar një procedurë penale ndaj serbit dhe ka dalë që nuk ka përgjegjësi penale, mbi atë bazë vërtetohet se kjo pronësi është e ligjshme”, tha Millaku
Millaku thotë se pretendimet e të akuzuarve mbi pronat janë legjitime dhe për këtë ka edhe vendime gjyqësore.
“Në qoftë se ekziston një aktgjykim gjyqësor dhe një kronologji e ngjarjes që të gjitha institucionet kanë dhënë vendime, që kanë kaluar nëpër të gjitha shkallët dhe ju dashka shtetit që tek në 2016 të thotë se diçka nuk është në rregull, kjo tregon efikasitetin e shtetit”, tha avokati.
Krejt në fund Millaku thotë se pret që gjykimit të jetë i gjatë teksa shton se masa e paraburgimit ndaj të akuzuarve është shumë e rëndë.
“Gjykimi do të jetë i gjatë ndërsa të mbrojturit janë në paraburgim, e kjo masë në Kosovë trajtohet si një masë e rëndë e cila me çdo kusht dhe shpesh pa analizë i caktohet por motivi ligjor dhe inkriminimi thotë që krimi i organizuar duhet të jenë së paku tre persona dhe përfaqësuesit të akuzës i është dashur edhe i mbrojturi im për të përmbushur kriterin”, theksoi ai.
KALLXO.com ka provuar të kontaktojë edhe me avokatët e të akuzuarve tjerë të këtij rasti por e ka pasur të pamundur, pasi që avokati Nikë Shala nuk ka qenë i qasshëm, ndërsa nuk kemi arritur të gjejmë se kush ka qenë avokati i të akuzuarit tjetër. /KALLXO.com/