Fabrikën HI-TI “GERIS” e cila sot u djegë plotësisht nga zjarri e vizituan edhe Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashi,Kryetari I Ferizajt, Muharrem Svarqa dhe nënkryetari Xhavit Zariqi.
Me këtë rast ata u njoftuan me gjendjen e kësaj fabrike pas përfshirjes nga zjarri dhe me pronarët e fabrikës u bisedua për mundësit që ka Komuna dhe Qeveria e Kosovës të ndihmojnë në përtëritjen e këtij biznesi.
“Kjo është njëra nga tragjedi që ka përjetuar afarizmi ferizajas që nga paslufta. Me ministrin Abrashi jemi këtu të shohim pasojat e këtij zjarri dhe te tregojmë se do të bëjmë gjithë atë që është e mundur për riparimin e pasojave të kësaj fatkeqësie. Edhe pse gjatë kohë kur zjarri kishte përfshirë këtë fabrikë ishim në vendin ku për herë të parë u thye kufiri shqiptaro-shqiptarë nga brigada 138 “Agim Ramadani” , ku 1/3 ishin pjesëtarë nga Ferizaj kam qenë në kontakt më Komandantin e Brigadës së Zjarrfikësve të Ferizajt dhe Komandantin e Policisë së Ferizajt. Shpresoj që Kompanitë e sigurimeve që veprojnë në Kosovë dhe me ndihmën e shpirtit solidar të afaristëve ferizajas kjo kompani do të kthehet sërish në rrugën e saj si prodhuese, e cila ishte një nga prodhuesit më të fuqishëm ferizajas që furnizonte edhe rajonin me prodhimet e saja” tha kryetari i Ferizajt Muharem Svarqa.
Svarqa me këtë rast ka falënderuar edhe ekipet e Zjarrfikësve nga komunat fqinje të cilat me të marr lajmin e shpërthimit të zjarrit kanë shprehur gatishmërinë dhe që nga momentet e para i janë bashkuar njësitit të Ferizajt dhe ende po punojnë në shuarjen e zjarrit.
Edhe Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashi vizitoi këtë fabrikë dhe tha se ndihet i prekur nga kjo fatkeqësi.
“Nuk munda të mos ndalem e të vizitoi këtë vend ku është dëmtuar një biznes i fuqishëm ferizajas. Është një tragjedi e madhe si për ekonominë e Ferizajt dhe atë Kosovare. Shpresoj që të kthehet në prodhim. Jemi dakorduar me Kryetarin e Ferizajt dhe pronarin që të shikojmë të gjitha mundësit dhe të koordinohemi për të ndihmuar që ky biznes të kthehet sa më shpejt në prodhim dhe punëtorët të kthehen në vendet e tyre të punës” tha Arban Arbrashi,Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale
“Kjo nuk është humbje vetëm e pronarit por është humbje edhe për Shtetin e Kosovës dhe ekonominë e Ferizajt sepse ka të bëjë me një biznes prodhues.Ishte një biznes mjaftë i fuqishëm në komunën e Ferizajt me djegien e të cilit u humbën miliona. Por fati në këtë fatkeqësi është se nuk ka pasur humbje në njerëz” tha Xhavit Zariqi,nënkryetar i Ferizajt.
Ndërsa pronari i fabrikës Nexhat Gashi tha se zjarri ka shkatërruar gjithçka dhe me këtë rast kanë humbur gjithë kapitalin që është investuar në këtë fabrikë.