22,12,2024

12 gardhet e turpit të Bashkimit Evropian

Must Read

Politikat e qeverisë së re të SHBA-së janë kritikuar ashpër nga Bashkimi Evropian (BE), që pretendon se vetë ata nuk kanë ngritur mure, ndërsa 12 gardhet me tela me gjemba, si dhe marrëveshjet mes shteteve fqinje të cilat mund të cilësohen si “mure simbolike” sipas tyre nuk janë gjë tjetër vetëm se një “mburojë” ndaj atyre të cilët ikin nga padrejtësitë, skamja dhe vendet e konfliktit, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas deklaratës së Presidentit të SHBA-së, Donald Trump se do të ndërtojë një mur në kufirin me Meksikën dhe për ndalimin e hyrjes së qytetarëve nga 7 vende me shumicë muslimane, Brukseli adresoi “kritika të ashpra” nda këtij vendi.

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Federica Mogherini, pas vendimit të Turmpit, në një deklaratë tha: “Askush nuk mund të privohet nga të drejtat e tij për shkak të vendlindjes, përkatësisë fetare apo prejardhjes. Identiteti jonë ky është. Ne festojmë kur prishen muret”. Ndërsa i bëri thirrje Trumpit duke i thënë se “nëse ndërton mure do ta gjejë veten në burg”.

Ndërsa 3 ditë më vonë pasi firmosi marrëveshjen më 3 shkurt kundër refugjatëve me Libinë, duke dalë përpara mediave Mogherini tha: “Dua ta them qartë, kjo metodë e jona është për të drejtuar lëvizjen e refugjatëve. Ky nuk është një mur. Nuk bëhet për të mbajtur njerëzit jashtë, por një metodë e BE-së e cila synon ndarjen e të drejtave të njeriut me luftën kundër organizatave kriminale, një temë e cila është shumë e ndërlikuar”. Në këtë mënyrë shefja e diplomacisë së BE-së mbrojti qëndrimet e saj.

Ndërsa reagimi ndaj Trumpit arriti kulmin deri sa për të u organizua edhe një seancë e veçantë në Parlamentin Evropian (PE). Liderët e grupeve politike të këtij institucioni e quajtën Trumpin si “diskriminues të pastër” dhe këtë e bënë vetëm një ditë para marrëveshjes me Libinë.

12 gardhet e turpit të BE-së

Edhe pse institucionet e larta të BE-së kritikojnë Turmpin, faktikisht veprimet e tyre dhe vendeve të unionit nuk janë aspak të ndryshme nga të tij. Gardhet të cilat pretendohen nga Mogherini që nuk janë ndërtuar ndonjë herë në fakt kanë mbyllur prej kohësh BE-në, duke penguar njerëzit të cilët vijnë nga zonat e luftës, që ikin nga padrejtësitë, skamja dhe shkojnë drejt këtij kontinenti për një jetë më të mirë. Në Spanjë gjenden 2 gardhe, në Hungari 3, ndërsa në Bullgari, Greqi, Francë, Austri, Slloveni, Estoni dhe madje në Maqedoni, vend ky që nuk është anëtar i BE-së ka nga një gardh.

Spanja

Gardhi i parë në BE është ndërtuar në vitin 1993 në Septe, vend ky që ndodhet në Afrikë dhe është tokë e Spanjës. Gardhi me gjatësi 8.4 kilometra i gjatë është 3 metra i lartë dhe është i pari gardh me tel me gjemba. Pas vdekjes së një numri të madh refugjatësh, në vitin 2005 gardhi u ngrit 6 metra i lartë dhe shkoi në 11 kilometra i gjatë.

Gardhi ka kushtuar 33 milionë euro dhe është financuar nga BE-ja. Ndërsa përmes kamerave dhe sensorëve të vendosura në të siguria është maksimale. Shumë refugjatë gjatë përpjekjeve për të kaluar këtë pengesë humbën jetën ose u plagosën rëndë.

Ndërsa gardhi i dytë është ndërtuar rreth 400 kilometra larg Septe-s në kufirin e Melilla-s, gardh ky i cili u ndërtua po nga BE-ja. Gardhi ruhet nga forcat ushtarake të Marokut. Megjithatë shumë njerëz të ardhur nga shkretëtira e Saharasë së Poshtme mundohen ta kalojnë atë me metoda primitive.

Bullgaria dhe Greqia 

E njëjta situatë është edhe në kufijtë Bullgari-Turqi dhe Greqi-Turqi. Në kufirin e Greqisë me Turqinë që prej vitit 2012 ka një gardh të lartë me tela me gjemba. Gardhi prej 30 kilometrash i ndërtuar nga Bullgaria në kufirin me Turqinë në vitin 2013, vitin e kaluar u zgjat në 146 kilometra.

Maqedonia

Edhe në kufirin e Maqedonisë me Greqinë ka një gardh me tela me gjemba. Maqedonia e cila nuk është anëtare e BE-së me gardhin synon pengimin e kalimit të refugjatëve nga Greqia në drejtim të vendeve të BE-së. Në këtë kufi për herë të parë më 29 nëntor 2015 u ndërtua një gardh me tela me gjemba.

Maqedonia nisi të ndërtojë pengesën e dytë me tela me gjemba më 8 shkurt 2016. Ndërkohë për të penguar kalimin e refugjatëve u mobilizua ushtria dhe policia e këtij vendi në kufirin me Greqinë.

Hungaria

Një tjetër vend tranzit për refugjatët, Hungaria e cila është anëtare e BE-së ndërtoi për herë të parë gardhin me tela me gjemba në vitin 2015. Për të ndaluar kalimin e refugjatëve ky vend ndërtoi 175 kilometra gardh në kufirin me Serbinë. Pengesa është 3 metra e lartë, ndërsa forcat e sigurisë së këtij vendi vendosën gjendjen e jashtëzakonshme në këtë rajon duke dhënë dhe dënime të larta për ata të cilët tentonin të kalonin.

Pas ndalimit të tyre në këtë destinacion refugjatët u kthyen drejt Kroacisë, ndërsa Hungaria vendosi ndërtimin e një tjetër gardhi, në kufirin me Kroacinë. Në këtë zonë është ndërtuar 120 kilometra pengesa me tela me gjemba.

Ndërsa më 3 prill 2016 në rajonet Bacs-Kiskun dhe Csongrad, për të penguar kalimin e refugjatëve u ndërtua gardh me tela me gjemba.

Kryekëshilltari i Kryeministrit të Hungarisë, György Bakondi, në një deklaratë të bërë më 20 janar të këtij viti tha se për të penguar hyrjen e refugjatëve në vend duhet të rritet siguria, të vendosen kamera termale dhe sensorë përgjatë pengesave të ngritura si dhe të përforcohen gardhet me tela me gjemba.

Sllovenia

Një tjetër vend ku refugjatët përdorin si vend kalimi është edhe Sllovenia. Ky vend vendosi ndërtimin e një gardhi pengues në kufirin me Kroacinë në vitin 2015. Momentalisht në kufirin mes dy vendeve ka një rrethim rreth 150 kilometra të gjatë dhe 2 metra të lartë.

Austria

Austria e cila mori vendim për ndërtimin e një rrethimi prej 4 kilometrash në kufirin me Slloveninë, 3.7 kilometrat i ka përfunduar.

Zyrtarët e këtij vendi thanë se në rast nevoje edhe pjesa tjetër e mbetur prej 650 metrash mund të mbyllet përmes një gardhi me tela me gjemba. Ndërsa shumë politikanë të këtij vendi theksojnë se nuk duhet të mjaftohen vetëm me marrëveshjen e arritur me Turqinë, por duhet të merren masa për ruajtjen dhe rritjen e sigurisë në kufijtë e jashtëm të BE-së dhe sidomos në ato të vendeve të Ballkanit.

Franca

Një tjetër vend që ka ngritur gardhe kundër refugjatëve është Franca. Gardhi i financuar nga Britania e Madhe u ndërtua në Calais për të penguar refugjatët që të hipin në maunet të cilat shkojnë drejt Britanisë së Madhe.

Estonia

Estonia e cila është vend anëtar i BE-së, mori vendim për ruajtjen e kufirit të saj me Rusinë përmes një gardhi me tel me gjemba. Sipas vendimit të marrë marsin e vitit të kaluar në kufirin 90-135 kilometra të gjatë do të ndërtohet një gardh 2.5 metra i lartë. Gardhi që pritet të përfundojë në vitin 2019 pritet të ketë një kosto rreth 70 milionë euro.

Muret simbolike

Krahas mureve të vërtetë BE-ja ka ngritur edhe mure simbolike të cilat mund të quhen marrëveshjet me vendet fqinje për pengimin e kalimit të refugjatëve. Në këtë kuadër Brukseli vendosi rigjallërimin e procesit të anëtarësimit të Turqisë, si dhe dhënien e vizave për qytetarët e Turqisë.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Shkaktoi 19 aksidente të qëllimshme për të përfituar nga sigurimi i veturave, arrestohet 23 vjeçari në Ferizaj

Një person i moshës 23 vjeçare është arrestuar pasi me qëllim të përfitimit material ka keqpërdorur sigurimet e veturave. Kjo...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img