Banka e Shqipërisë ka publikuar sot një njoftim të Autoritetit Mbikëqyrës Evropian (AME) që paralajmëron konsumatorët, se monedhat virtuale janë produkte me rrezik të lartë dhe janë të papërshtatshme për investime, kursime apo plane pensioni.
Monedha Virtuale (MV) që ekzistojnë aktualisht, janë përfaqësimi digjital i një vlere që as nuk është e emetuar dhe as nuk është e garantuar nga një bankë qendrore, apo autoritet publik, dhe nuk e kanë statusin ligjor të monedhës apo parasë. Ato janë tejet të rrezikshme, dhe përgjithësisht nuk janë të mbuluara nga aktive të trupëzuara dhe nuk rregullohen nga legjislacioni i BE-së; rrjedhimisht, ato nuk u ofrojnë konsumatorëve mbrojtje ligjore. Autoritetet shprehin shqetësimin për faktin se një numër gjithmonë e më i madh konsumatorësh po blejnë MV, veçanërisht me pritshmërinë se vlera e MV-ve do të vazhdojë të rritet, pa qenë të vetëdijshëm për rrezikun e lartë se ata mund t’i humbasin paratë që kanë investuar, citon njoftimi BSH-së.
Monedha të tilla si Bitcoin, Ripple, Ether dhe shumë të tjera, së fundmi kanë pësuar shumë luhatje, që do të thotë se çmimet e tyre kanë pasur luhatje domethënëse çdo ditë. Vlera e Bitcoin-it u rrit dukshëm në vitin 2017, nga rreth €1,000 që ishte në muajin janar arriti deri në vlerën mbi €16,000 në mes të muajit dhjetor, dhe më pas ra me pothuaj 70% të vlerës, në €5,000 në fillim të muajit shkurt. Së fundmi, ajo ka rikuperuar rreth 40% të vlerës më të ulët që shënoi, dhe aktualisht tregtohet në rreth €7,000. Kapitalizimi total i tregut i 100 MV-ve më të mëdha mendohet se e tejkalon barasvlerën e €330 bilionëve në nivel global sot.
Pse blerja e MV-ve është me rrezik për konsumatorët? AME-ja paralajmëron konsumatorët se MV-të mund të jenë jashtëzakonisht me rrezik dhe janë zakonisht tejet spekulative. Nëse blini MV, duhet të jeni të vetëdijshëm se ka një rrezik të madh që të humbisni një shumë të madhe, ose edhe të gjithë shumën, e parave të investuara. Kur blini MV, ose produkte financiare që sjellin ekspozim të drejtpërdrejtë të konsumatorëve ndaj MV-ve, jeni të ekspozuar ndaj një numri të lartë rreziqesh, si, luhatshmëria ekstreme e çmimit, mungesa e mbrojtjes ligjore, mungesa e transparencës së çmimit, etj.